Ministri Për Pushtetin Vendor

Në takimin e organizuar në Shkodër nga kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, së bashku me 61 kryetarët e bashkive të vendit, a analizua performanca e secilës njësi vendore si dhe u lanë detyra të përbashkëta për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve.

Gjatë aktivitetit u vendosën piketa për komunikimin e vazhdueshëm të titullarëve të qeverisë dhe agjencive me bashkitë duke fiksuar një komunikim mujor në platforma online në lidhje me 9 çështje kryesore që u identifikuan dhe që shqetësojnë bashkitë. Në këtë komunikim mujor, që do të bëhet i mundur nëpërmjet platformave digjitale, bashkitë do të konsultohen me qeverinë për shqetësimet e tyre dhe zgjidhjet e mundshme.

Në këtë aktivitet gjithashtu u arrit ndërgjegjësimi i pushtetit lokal për përdorimin sa më efektiv të burimeve njerëzore në funksion të thithjes së sa më shumë fondeve dhe projekteve vendore ose të huaja.

Gjithashtu u analizua mënyra e vetëfinancimit dhe financimit nga qeveria të pushtetit lokal duke u dakorduar që të gjendet një formulë ku bashkitë të shpërblehen mbi bazën e performancës së tyre në mbledhjen e të ardhurave.

Më tej, në retreat u arrit dakordësia për rritjen e pagave të bashkive duke filluar nga viti 2024.

Bashkitë u angazhuan të funksionojnë më mirë në pastrimin e hapësirave të qyteteve të tyre me qëllim ndikimin pozitiv kundrejt turizmit dhe turistëve si një kartvizitë e rëndësishme për zonën e tyre. Indikatorët e përdorur në këtë aktivitet ishin financat, burimet njerëzore, treguesit e performancës si mbledhja e tarifave, përfitimi i fondeve të BE dhe planet vendore ekonomike dhe mjedisore të bashkive.