Ministri Për Pushtetin Vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor prezantoi në Kuvend projektligjin e ri për Bashkëpronësinë i cili sjell një ndryshim për mijëra qytetarë që jetojnë në ndërtesa kolektive.
Ky projekligj është një hap që i jep fund paqartësive ligjore dhe hap rrugën për një menaxhim transparent, të përgjegjshëm dhe efikas të ndërtesave. Disa nga ndryshimet që ligji ofron janë dhënia e fuqisë që i takon banorëve të cilët formojnë asamblenë e pallatit. Asambleja e bashkëpronarëve ka tashmë të drejtën të vendosë për tarifat e shërbimeve, për përdorimin e ambienteve të përbashkëta dhe për investimet e nevojshme në pallat.
Administratorët: jo më njerëz të rastësishëm, por profesionistë të certifikuar.
Administratorët e pallateve do të duhet të jenë të pajisur me NIPT gjë që mundëson lëshimin e faturës për tarifat, që tashmë është një titull ekzekutiv. Kjo do ta bëjë më të lehtë mbledhjen e tarifave për kostot e mirëmbajtes së ndërtesës. Administratorët do të jenë të regjistruar në sistemin zyrtar të bashkive dhe të ndjekin standardet e mirëpërcaktuara
Qeveria gjithashtu ka parashikuar ndarjen e qartë të fondeve, për raste emergjente, për mirëmbajtje të zakonshme dhe për përmirësime cilësore. Vendimmarrja është në duart e banorëve, duke garantuar transparencë dhe siguri për investimet në ndërtesë.
Bashkia nuk do të qëndrojë më pasive
Roli i bashkisë forcohet si garantues i rregullave dhe zgjidhës i konflikteve. Nga regjistri i ndërtesave, te inspektimet me iniciativë, e deri te ndërhyrjet në rastet kur banorët nuk përmbushin detyrimet, bashkia do të veprojë për të mbrojtur komunitetin dhe për të ngritur cilësinë e jetesës urbane. Për më tepër, krijohet një strukturë e posaçme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve duke shmangur proceset e gjata gjyqësore për çështje që mund të zgjidhen shpejt dhe në mënyrë efikase.