Ministri Për Pushtetin Vendor

U prezantua Programi Kombëtar “Rilindja 2.0: Rivitalizim & Identitet”, një model i ri zhvillimi për bashkitë shqiptare, që synon të kalojë nga faza e investimeve bazë infrastrukturore drejt një standardi më të lartë të cilësisë së jetës, shërbimeve publike, identitetit lokal dhe zhvillimit ekonomik në territor.

Programi, i ndërtuar mbi 11 shtylla programore, vendos në qendër bashkitë si aktorë kryesorë të zhvillimit vendor dhe parashikon një paketë ambicioze investimesh me fokus Shqipërinë 2030 dhe përafrimin me standardet europiane.

Në hapje të eventit, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, theksoi se Rilindja 2.0 është shumë më tepër se një program investimesh. Sipas tij, ajo shënon një nivel të ri bashkëpunimi mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore, duke synuar t’u japë përgjigje sfidave strukturore që kanë shoqëruar bashkitë shqiptare gjatë dekadave të fundit.

Programi u prezantua si një instrument zhvillimi ekonomik dhe territorial, që ndërthur investimet publike me forcimin e kapaciteteve vendore, krijimin e modeleve të reja të administrimit dhe gjenerimin e vlerës ekonomike në nivel lokal.

Një nga shtyllat e para të programit është ajo e muzeve të identitetit lokal, me mesazhin se çdo bashki ka një histori që duhet kthyer në hapësirë, përvojë dhe vlerë për komunitetin. Sipas të dhënave të prezantuara, në territor janë evidentuar 83 muze ekzistues, 125 ide të reja dhe 22 projekte konkrete. Deri në vitin 2030, programi synon krijimin e 70 muzeve të rinj bashkiakë, me një investim prej 25 milionë eurosh, si dhe një skemë prej 1.5 milionë eurosh për mbështetjen e 60 muzeve privatë të rinj.

Një tjetër komponent i rëndësishëm është menaxhimi i parkimit, i trajtuar si instrument për akses, turizëm, menaxhim urban dhe të ardhura vendore. Janë identifikuar 76 hapësira parkimi me potencial investimi, që mund të krijojnë mbi 10 mijë vende të reja parkimi. Objektivi deri në vitin 2030 është realizimi i 120 milionë eurove investime, hartimi i Planeve Vendore të Parkimit në 61 bashki dhe rritja e të ardhurave nga parkimi.

Programi parashikon gjithashtu rigjenerimin e hapësirave ish-industriale, duke i kthyer nga zona të braktisura dhe jashtë funksionit në hapësira të reja ekonomike, shërbimi, inovacioni dhe turizmi. Nga të dhënat e prezantuara rezultojnë 448 objekte të identifikuara, nga të cilat 148 janë prioritare për ndërhyrje, ndërsa 66% janë jashtë funksionit. Për këtë shtyllë parashikohet një investim prej 45 milionë eurosh.

Në fushën e arkitekturës cilësore për godinat publike, Rilindja 2.0 synon të rrisë standardin e objekteve arsimore dhe publike, duke i parë ato jo vetëm si ndërtesa funksionale, por si pjesë të identitetit urban dhe cilësisë së shërbimit. Në territor janë evidentuar 118 objekte arsimore, nga të cilat 86% kërkojnë ndërhyrje. Objektivi deri në vitin 2030 është realizimi i 80 milionë eurove investime, përgatitja e 118 projekteve arkitekturore dhe vendosja e standardit kombëtar arkitekturor në 61 bashki.

Shtylla e startup-eve dhe sipërmarrjes inovative synon shtrirjen e ekosistemit të inovacionit përtej Tiranës, duke krijuar më shumë mundësi për të rinjtë dhe sipërmarrjet lokale. Për vitin 2026 është parashikuar një fond prej 6 milionë eurosh për Startup Albania, ndërsa deri në vitin 2030 synohet një kapacitet prej 20 milionë eurosh për mbështetjen e startup-eve. Programi parashikon gjithashtu krijimin e 11 hubeve tematike dhe rritjen e aplikimeve jashtë Tiranës në të paktën 40%.

Pjesë e rëndësishme e programit është edhe mjedisi i shëndetshëm, me fokus menaxhimin e mbetjeve, riciklimin dhe zgjerimin e hapësirave të gjelbra. Sipas të dhënave të prezantuara, në Shqipëri raportohen 896,651 ton mbetje bashkiake në vit, ndërsa niveli aktual i riciklimit kombëtar është nën 20%. Programi parashikon 80 milionë euro në proces financimi dhe 150 milionë euro investime shtesë deri në vitin 2030, me objektiv mbulimin 100% të territorit me shërbim. Në fushën e gjelbërimit, objektivat përfshijnë rritjen me 30% të hapësirave të gjelbra, 1.2 milionë fidanë për gjelbërimin e akseve kombëtare dhe 150 mijë m² gjelbërim sipërfaqësor.

Për transportin e gjelbër, programi parashikon investime në autobusë elektrikë për shërbimin publik bashkiak. Paketa nis me 13 milionë euro investim dhe parashikon edhe 30 milionë euro shtesë deri në vitin 2030. Modeli do të mbështetet te administrimi bashkiak, kontrolli qendror i cilësisë përmes FSHZH-së, pilotimi gradual dhe menaxhimi më i mirë i flukseve turistike.

Në sektorin e ujësjellësit dhe trajtimit të ujërave, programi synon furnizim më të qëndrueshëm me ujë të pijshëm dhe trajtim të ujërave të ndotura, si kushte bazë për shëndetin publik dhe turizmin e qëndrueshëm. Aktualisht janë 140 milionë euro investime në proces, ndërsa deri në vitin 2030 parashikohen edhe 500 milionë euro investime shtesë. Objektivat përfshijnë furnizim kombëtar me ujë 24 orë në ditë, mbulim 100% të zonave urbane dhe më shumë se 25 impiante funksionale të trajtimit të ujërave të ndotura.

Një tjetër shtyllë lidhet me kapacitetet logjistike dhe infrastrukturën bujqësore, për të forcuar aftësinë praktike të bashkive në mirëmbajtjen e territorit, infrastrukturës rurale dhe reagimin ndaj emergjencave. Programi parashikon një investim prej 20 milionë eurosh për flotën logjistike, e cila do të organizohet në nivel qarku dhe do të jetë në shërbim të bashkive sipas nevojave të territorit. Gjithashtu, deri në 2030 do të investohet mbi 250 milionë euro në ujitje, kullim dhe mbrojtje nga përmbytjet.

Në fushën e Smart Cities, programi synon përdorimin e teknologjisë për qytete më të sigurta, më funksionale dhe më mirë të menaxhuara, duke investuar 20 milione euro në sisteme shtesë për bashkitë. Fokusi është te siguria publike, trafiku, parkimi, emergjencat civile, plazet, pikat turistike, shkollat, kopshtet dhe menaxhimi i mbetjeve, përmes sistemeve më të koordinuara dhe më të integruara në nivel vendor.

Risi e rëndësishme e Rilindja 2.0 është koncepti i bashkive sipërmarrëse, që synon kalimin e bashkive nga administratorë pasivë të taksave vendore në aktorë ekonomikë aktivë. Programi parashikon që bashkitë të identifikojnë asete, të strukturojnë partneritete, të krijojnë ndërmarrje të përbashkëta dhe të gjenerojnë të ardhura shtesë në territor. Objektivi është krijimi i 20 ndërmarrjeve të përbashkëta brenda vitit 2027.

Gjatë eventit, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se Rilindja 2.0 është vijim i një politike që ka sjellë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik lokal. Ajo nënvizoi se të gjitha shtyllat e programit, pavarësisht se lidhen me identitetin, infrastrukturën apo shërbimet, kanë në thelb një impakt ekonomik dhe synojnë të aktivizojnë potenciale të pashfrytëzuara në territor.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit dhe kryetarja e Shoqatës Kombëtare të Bashkive, Emiriana Sako, e cilësoi programin si një mundësi të re për të gjitha bashkitë, të mëdha dhe të vogla, që të përshtaten me nevojat e tyre dhe të bëhen pjesë e projekteve konkrete. Ajo theksoi rëndësinë që bashkitë të ndryshojnë qasje, duke u parë jo vetëm si administrata shërbimi, por edhe si institucione që mund të gjenerojnë të ardhura dhe zhvillim ekonomik.

Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama e vendosi Rilindjen 2.0 në kontekstin e një faze të re të zhvillimit të vendit. Ai theksoi se Rilindja Urbane e parë e kreu funksionin e saj, duke nxjerrë qytetet nga degradimi dhe duke rikthyer besimin se Shqipëria mund të ndryshojë. Por sot, sipas tij, qytetarët nuk janë bërë më negativë, por më kërkues, dhe kjo kërkon kalimin në një standard tjetër.

Kryeministri nënvizoi se sot nuk mjafton më vetëm ndërtimi i infrastrukturës, por kërkohet cilësi, përvojë, funksion, mirëmbajtje dhe ndikim i drejtpërdrejtë në jetën e përditshme. Ai e lidhi këtë me procesin e integrimit europian, duke theksuar se Europa nuk është një koncept abstrakt, por standard konkret që duhet të reflektohet në qytete, shërbime dhe komunitete.

Mesazhi kryesor i eventit ishte se Rilindja 2.0 nuk është thjesht një program për të ndërtuar më shumë infrastrukturë, por për të ndërtuar më shumë cilësi jete, më shumë mirëqenie dhe më shumë komunitet.

Në thelb, Rilindja 2.0 synon ta çojë zhvillimin vendor në një fazë të re: nga qyteti i ndërtuar te komuniteti i jetuar; nga investimi i veçuar te zhvillimi i integruar; nga bashkia si administratë te bashkia si motor zhvillimi.