Ministri Për Pushtetin Vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, pas mbledhjes së qeverisë të datës 6 maj, bëri të ditur miratimin e tre bashkive të reja në kuadër të Paketës së Maleve. Propozimet për zonat prioritare u miratuan për Bashkinë Delvinë, Bashkinë Konispol dhe Bashkinë Pogradec, duke e çuar në 43 numrin e bashkive që kanë zona prioritare të miratuara në kuadër të këtij programi.

Me vendimet e fundit, numri total i zonave prioritare të miratuara ka arritur në 369, ndërsa interesi i qytetarëve vijon të jetë i lartë. Deri më tani janë regjistruar 8,889 shprehje interesi dhe 881 aplikime reale në të gjitha bashkitë e përfshira në proces.

Në deklaratën për mediat, ministri Demo theksoi se numri i bashkive të përfshira në Paketën e Maleve ka kaluar tashmë pothuajse dy të tretat e totalit të bashkive në vend. Sipas ministrit, në pjesën më të madhe të bashkive ka avancuar edhe faza e aplikimit nga qytetarët, në funksion të zhvillimit lokal dhe rural, përmes identifikimit dhe miratimit të zonave prioritare.

Demo u shpreh se javët në vijim pritet të përfshihen edhe bashkitë e fundit, me synimin që brenda muajit maj të përmbyllet procesi i miratimit të zonave prioritare për të gjitha bashkitë e vendit. Paralelisht, bashkitë po vijojnë me shqyrtimin dhe miratimin e aplikimeve në këshillat bashkiakë.

Paketa e Maleve synon të nxisë zhvillimin ekonomik të zonave rurale dhe malore, duke krijuar mundësi të reja për investime, punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal. Përmes këtij procesi, bashkitë identifikojnë zonat me potencial zhvillimi dhe hapin rrugën për projekte që i japin vlerë territorit dhe komuniteteve lokale.