Ministri Për Pushtetin Vendor

Pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, Ministri Demo, bëri të ditur se procesi i miratimit të zonave prioritare në kuadër të Paketës së Maleve është zgjeruar me 4 bashki të reja: Kurbin, Kamëz, Selenicë dhe Dropull.

Me vendimet e sotme, numri total i bashkive që kanë miratuar zonat prioritare shkon në 40, ndërsa në të gjithë vendin janë miratuar gjithsej 350 zona prioritare. Bashkitë e reja që iu shtuan procesit janë Kurbin me 3 zona prioritare, Kamëz me 3 zona, Selenicë me 36 zona dhe Dropull me 4 zona.

Ministri Demo theksoi se Paketa e Maleve po vijon të ketë interes të shtuar nga aplikantët në territor, sidomos nga banorët e zonave përkatëse që synojnë zhvillimin e ekonomisë rurale. Sipas tij, bashkitë po konstatojnë çdo ditë një interes në rritje edhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, por që kanë lidhje të forta me zonat e tyre të origjinës dhe shohin te kjo paketë një mundësi konkrete për investim.

“Paketa e Maleve vazhdon të ketë një interes të shtuar për sa i përket aplikantëve në gjithë territorin, në 40 bashki tashmë të cilat janë shpallur me zonat prioritare,” u shpreh ministri Demo.

Ai shtoi se një pjesë e mirë e bashkive pritet të vijojnë shumë shpejt me miratimet në këshillat bashkiakë, duke e çuar përpara procesin javë pas jave dhe duke krijuar kushte për një ritëm më të shpejtë aplikimesh në territor.

Paketa e Maleve synon të nxisë zhvillimin ekonomik të zonave rurale dhe malore, duke krijuar mundësi të reja për investime, agroturizëm, turizëm natyror, punësim dhe gjallërim të komuniteteve lokale.