Ministri Për Pushtetin Vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor zhvilloi sot në Berat një takim me përfaqësues të nivelit të lartë të World Bank Group dhe International Finance Corporation, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Berat, z. Ervin Ceca, dhe Drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, z. Dritan Agolli.

Takimi u fokusua në progresin e projektit PIUTD dhe në ndikimin konkret që investimet në infrastrukturën urbane dhe trashëgiminë kulturore kanë sjellë në zhvillimin ekonomik lokal, rritjen e turizmit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Gjatë prononcimit për mediat, Ministri theksoi se Qeveria Shqiptare, në bashkëpunim me Bankën Botërore, po eksploron mundësinë e ndërtimit të një programi të ri kombëtar që do të mbështesë zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm lokal, me fokus të veçantë në sektorin e turizmit.

“Ne jemi këtu së bashku me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore për të garantuar që qeveria shqiptare, në partneritet me Bankën Botërore, po eksploron mundësitë për të ndërtuar një program të ri kombëtar që do të mbështesë zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm lokal, përmes mbështetjes së sektorit të turizmit. Kjo do të sjellë më shumë mundësi për qytetarët që jetojnë në këto qytete dhe do t’i japë një shtysë të mëtejshme turizmit, i cili gjatë viteve të fundit ka qenë një burim i padiskutueshëm zhvillimi ekonomik për komunitetet tona,” u shpreh Ministri.

Gjatë vizitës në lagjet muzeale dhe në Kalanë e Beratit, delegacioni pa nga afër rezultatet e investimeve të realizuara me mbështetjen e Bankës Botërore dhe zbatimin nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Restaurimi i hapësirave publike, përmirësimi i infrastrukturës urbane dhe valorizimi i trashëgimisë kulturore kanë rritur cilësinë e jetës, kanë nxitur sipërmarrjen vendore dhe kanë forcuar atraktivitetin turistik të qytetit.

Në diskutime u theksua se investimi në territor nuk është vetëm investim në infrastrukturë, por në ekonomi lokale, punësim dhe qëndrueshmëri afatgjatë. Partneriteti mes qeverisë qendrore, bashkive dhe partnerëve ndërkombëtarë shërben si model bashkëpunimi për zhvillimin e balancuar territorial dhe forcimin e pushtetit vendor.

Berati u paraqit si një shembull konkret i këtij transformimi, ku ndërhyrjet në trashëgimi dhe hapësira publike janë kthyer në një motor të ri për ekonominë lokale dhe turizmin.