Ministri Për Pushtetin Vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, gjatë seancës plenare në Kuvend, iu përgjigj interpelancës së kërkuar nga deputeti Agron Shehaj lidhur me zbatimin e Paketës së Maleve, duke theksuar se kjo nismë nuk cenon pronën private dhe se zbatohet vetëm mbi pasuri shtetërore, në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara ligjore.

Në fjalën e tij, ministri Demo nënvizoi se Paketa e Maleve është një instrument i rëndësishëm në dispozicion të njësive të vetëqeverisjes vendore për të nxitur zhvillimin ekonomik lokal, veçanërisht në zonat rurale dhe malore.

“Duke iu referuar ligjit dhe jo thashethemeve apo aludimeve, është qartësisht e shkruar që Paketa e Maleve nuk zbatohet në prona private”, u shpreh ministri Demo.

Ai sqaroi se aplikimi i Paketës së Maleve realizohet në nivel vendor dhe se bashkitë kanë detyrimin të verifikojnë paraprakisht statusin juridik të pronës. Një nga kriteret bazë është që prona të jetë pasuri shtetërore, të mos jetë pronë publike e patjetërsueshme, të mos i shërbejë operacionalitetit të Forcave të Armatosura, të mos rëndojë mbi të drejtat reale të palëve të treta, të mos jetë objekt i procedurave të fitimit të pronësisë sipas ligjit nr. 20/2020 dhe të mos ketë vendim për kthim apo kompensim fizik të ish-pronarëve.

Ministri Demo theksoi se procesi kalon në disa filtra institucionalë dhe publikë, duke nisur nga verifikimi nga bashkia deri te shpallja publike 45-ditore. Ai sqaroi se gjatë këtij afati, çdo qytetar që ka pretendime mbi pronën mund të paraqesë ankesë dhe, në një rast të tillë, procedura pezullohet.

“Bashkia është e detyruar të bëjë shpallje publike për dyzet e pesë ditë. Në çdo moment gjatë kësaj shpalljeje publike, çdo individ që ka pretendime mbi atë pronë, nëse ankohet, aplikimi pezullohet. Kjo do të thotë se nuk ka as vendim të këshillit bashkiak, nuk ka as vazhdim të procedurave”, u shpreh Demo.

Duke folur për rëndësinë e kësaj nisme, ministri tha se interesi i lartë në territor tregon se Paketa e Maleve i përgjigjet një nevoje reale të qytetarëve dhe bashkive për të aktivizuar potencialin zhvillimor të zonave malore.

Sipas të dhënave të deritanishme, në platformën e Paketës së Maleve janë regjistruar 1,154 aplikime dhe 9,208 shprehje interesi. Deri më tani janë miratuar 382 zona zhvillimore në 45 bashki.

Ministri Demo e cilësoi Paketën e Maleve si një mundësi të re për të krijuar spote zhvillimi dhe për të nxitur investime në turizëm, bujqësi, agroturizëm dhe aktivitete të tjera ekonomike që sjellin punësim dhe zhvillim në zonat rurale.

“Është një instrument i jashtëzakonshëm në dispozicion të njësive të vetëqeverisjes vendore për të krijuar mundësi të reja të zhvillimit ekonomik lokal dhe rural”, theksoi ministri Demo.

Në përfundim, ministri nënvizoi se Paketa e Maleve synon të kthejë potencialin natyror, ekonomik dhe turistik të zonave malore në mundësi konkrete zhvillimi për komunitetet vendore, duke garantuar në çdo rast respektimin e ligjit dhe të të drejtave të qytetarëve.