Ministri Për Pushtetin Vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, zhvilloi sot një vizitë në Berat së bashku me një delegacion të Komisionit për Çështjet e Jashtme të Parlamentit të Suedisë, të kryesuar nga z. Morgan Johansson.

Vizita u organizua në bashkëpunim me Ambasadën e Suedisë në Shqipëri dhe kishte në fokus prezantimin e rezultateve konkrete të mbështetjes suedeze për projektet e menaxhimit të mbetjeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivel vendor.

Së bashku me Kryetarin e Bashkisë Berat, Ervin Ceca, Ministri Demo dhe delegacioni suedez vizituan qendrën e ndarjes dhe riciklimit të mbetjeve urbane, ku u njohën nga afër me punën e stafit të shoqërisë “Berat City Green” dhe me modelin e ndarjes së mbetjeve në burim, i cili po zbatohet me sukses prej më shumë se 15 muajsh.

Gjatë kësaj periudhe janë grumbulluar dhe shitur rreth 200 ton materiale të riciklueshme, duke sjellë përfitime konkrete si për mbrojtjen e mjedisit, ashtu edhe për përmirësimin e standardeve të shërbimeve publike dhe përmbushjen e objektivave europiane në këtë fushë.

Vizita vijoi në Kalanë e Beratit, ku delegacioni pa nga afër zbatimin e modelit të menaxhimit të diferencuar të mbetjeve, të përshtatur për bizneset dhe banorët e zonës historike. Ministri Demo dhe delegacioni zhvilluan takime me biznese lokale që janë bërë pjesë e kësaj skeme, duke kontribuuar drejtpërdrejt në ruajtjen e pastërtisë dhe vlerave të trashëgimisë kulturore.

Në kuadër të vizitës, delegacioni suedez vizitoi edhe Muzeun Ikonografik Kombëtar “Onufri”, një nga asetet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, i vendosur në zemër të Kalasë së Beratit, pasuri botërore e UNESCO-s.

Ministri Demo vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë për Shqipërinë dhe theksoi se partneritete të tilla kontribuojnë drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve të pushtetit vendor dhe në zbatimin e modeleve moderne të menaxhimit të shërbimeve publike.

“Ky projekt dëshmon se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, kur kombinohet me angazhimin e pushtetit vendor dhe të komunitetit, sjell rezultate konkrete për qytetarët. Transparenca, përgjegjshmëria dhe mirëqeverisja lokale maten pikërisht me investime dhe shërbime që përmirësojnë cilësinë e jetës dhe mbrojnë vlerat tona natyrore e kulturore,” u shpreh Ministri Demo.

Vizita konfirmoi edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit mes qeverisë qendrore, pushtetit vendor dhe partnerëve ndërkombëtarë për të ndërtuar komunitete më të pastra, më të qëndrueshme dhe më të zhvilluara.