Ministri Për Pushtetin Vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, mori pjesë në aktivitetin e prezantimit të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një nismë e Qeverisë Shqiptare që synon të lehtësojë aksesin në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme përmes një mekanizmi të garancisë sovrane dhe partneritetit me sistemin bankar.

Gjatë panelit “Financimi i Sipërmarrjes dhe Partneriteti Publik-Privat”, ministri Demo theksoi se suksesi i programit nuk varet vetëm nga instrumentet financiare, por edhe nga angazhimi i institucioneve vendore për t’i afruar këto mundësi pranë sipërmarrësve.

“Bashkitë janë njohëset më të mira të potencialit ekonomik të territorit dhe duhet të jenë partneri i parë i sipërmarrësve, duke i informuar, orientuar dhe asistuar në hapat e parë drejt financimit,” u shpreh ministri Demo.

Në fjalën e tij, ministri nënvizoi se ky vizion lidhet drejtpërdrejt me Programin Kombëtar “Rilindja 2.0”, ku koncepti i bashkive sipërmarrëse vendos pushtetin vendor në një rol të ri zhvillimor. Sipas tij, bashkitë nuk duhet të kufizohen vetëm në administrimin e territorit, por të kontribuojnë aktivisht në krijimin e kushteve për investime, rritje ekonomike dhe vende të reja pune.

Ai solli si shembull Paketën e Maleve, duke theksuar se investimet që po zhvillohen në turizëm, agroturizëm dhe agropërpunim mund të përfitojnë njëkohësisht edhe nga instrumentet financiare të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, duke krijuar një sinergji mes politikave publike për zhvillimin lokal.

Ministri Demo theksoi gjithashtu se Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor do të punojë ngushtë me bashkitë për forcimin e kapaciteteve të tyre në hartimin e projekteve dhe modeleve të biznesit, me synim rritjen e aftësisë për të tërhequr financime dhe për të mbështetur sipërmarrjen lokale.

Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” u prezantua si një instrument i ri për nxitjen e investimeve private, i mbështetur nga një linjë financimi prej 250 milionë eurosh, me garanci sovrane dhe norma interesi të favorshme për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, duke synuar rritjen e produktivitetit, modernizimin dhe zgjerimin e aktiviteteve ekonomike në të gjithë vendin.