Ministri Për Pushtetin Vendor

Mazniku nga Berati: Bashkitë do të kenë më shumë funksione në arsim, shëndetësi dhe bujqësi.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, gjatë një vizite në Berat në kuadër të turit të dialogut vendor, vlerësoi bashkinë e Beratit për suksesin në përftimin e fondeve të Bashkimit Europian për të shtuar investimet në qytet.

Ministri Mazniku tha se ngritja e Akademisë Vendore, një strukturë që do t’i vijë në ndihmë bashkive për trajnimin e stafit dhe shkëmbimin e eksperiencave të suksesshme në projekte të ndryshme, do të jetë e rëndësishme që të gjitha bashkitë e Shqipërisë të rrisin nivelin e të ardhurave të tyre si dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

“Ne duhet të marrim eksperiencat më të mira që bashkitë tashmë i kanë krijuar dhe ato eksperienca t’i shpërndajmë tëk bashkitë e tjera. Pra për fondet e BE, ne duhet të marrim eksperiencën e Beratit për të parë se si duhet ta bëjmë në bashkitë e tjera.” – tha Mazniku

Ministri Mazniku tha gjithashtu se qeveria qëndrore po sheh mundësinë që disa funksione që lidhen me arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë të kalojnë nën përgjegjësinë e bashkive si zgjerim i procesit të decentralizimit. Ky prpozim do të shtrihet fillimisht në 3 bashki ku Berati do të jetë një prej tyre.

“Një nga 3 bashkitë ku do të pilotohet ky decentralizim është Berati për të parë si funksionon për një periudhë 1-vjeçare ky decentralizim i dakordësuar dhe për të parë se si mund ta bëjmë këtë decentralizim në nivel kombëtar.” – Përfundoi ministri Mazniku

Bashkë me kryetarin e Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku inspektoi punimet në kompleksion sportiv “Dua të Luaj”, një projekt i rëndësishëm për rininë në Berat