Ministri Për Pushtetin Vendor

U prezantua sot në Durrës programi “EU4Municipalities II”, një iniciativë strategjike prej 11 milionë eurosh e mbështetur nga Bashkimi Europian, që synon forcimin e pushtetit vendor dhe përshpejtimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Në aktivitet morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, Ambasadori i Bashkimit Europian Silvio Gonzato, Zëvendës Ambasadori i Gjermanisë Thilo Schroeter, përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë, kryetarë bashkish dhe organizata partnere.

Gjatë fjalës së tij, ministri Demo theksoi se programi përfaqëson një investim strategjik për të ardhmen e pushtetit vendor, në një moment kur Shqipëria po avancon drejt Bashkimit Europian dhe bashkitë po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në zbatimin e reformave dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Duke sjellë edhe eksperiencën e tij si ish-kryetar i Bashkisë Berat, Demo u ndal te ndikimi konkret që kanë këto investime në territor, duke theksuar se edhe projektet që në dukje mund të duken të vogla, sjellin ndryshime të rëndësishme për komunitetet lokale, veçanërisht në përmirësimin e shërbimeve publike. Programi, sipas tij, do të mbështesë bashkitë përmes tre komponentëve kryesorë: investimeve konkrete në infrastrukturë dhe shërbime publike, rritjes së kapaciteteve institucionale dhe modernizimit të qeverisjes vendore përmes digjitalizimit dhe teknologjisë.

“Bashkitë janë në qendër të këtij projekti, sepse ato janë në qendër të jetës së përditshme të qytetarëve. Bashki më të forta do të thotë shërbime publike më të mira, ekonomi lokale më të forta dhe komunitete më të zhvilluara,” u shpreh ministri Demo.

Kryeministri Rama e cilësoi programin si një instrument kyç për përgatitjen e bashkive shqiptare për procesin e integrimit europian, duke theksuar se forcimi i kapaciteteve njerëzore dhe rritja e aftësisë për të përthithur fondet europiane janë sfida thelbësore për pushtetin vendor. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e digjitalizimit të shërbimeve vendore, duke e konsideruar atë një nga komponentët më strategjikë për modernizimin e qeverisjes lokale.

Programi “EU4Municipalities II” zbatohet nga GIZ në partneritet me rrjetin e shoqatave të autoriteteve vendore të Europës Juglindore dhe Shoqatën Kombëtare të Bashkive, me synimin për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të qeverisjes vendore dhe për të afruar standardet europiane në çdo bashki të vendit.