Ministri Për Pushtetin Vendor

Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja dhe Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, zhvilluan në Durrës një takim me kryetarët e bashkive të vendit, ku u diskutuan prioritetet kryesore për vitin 2026, me theks te Paketa e Maleve, partneriteti qeveri–bashki, përballimi i përmbytjeve dhe përgatitjet për sezonin turistik.

Në fokus të diskutimeve ishte Paketa e Maleve, e konsideruar si një instrument strategjik për zhvillimin e zonave rurale dhe malore, rikthimin e investimeve dhe krijimin e ekonomive lokale të qëndrueshme. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, theksoi se objektivi kombëtar prej 1,000 investimesh përmes kësaj pakete është i arritshëm vetëm nëse çdo bashki tregohet aktive dhe e angazhuar, duke e kthyer këtë nismë në një prioritet real të punës së përditshme.

Gjatë vitit të kaluar janë regjistruar rreth 4,800 shprehje interesi për Paketën e Maleve. Pas një analize të detajuar në katër bashki (Shkodër, Shijak, Elbasan, Përmet) për zonat e shpallura prioritare, janë identifikuar 80 shprehje interesi konkrete, të cilat tashmë mund të vijojnë me aplikimet formale pranë bashkive përkatëse. Sipas kuadrit ligjor dhe urdhëresave në fuqi, bashkitë kanë përgjegjësinë të ndjekin të gjithë hapat për miratimin e këtyre aplikimeve në zonat prioritare.

Po ashtu, gjatë takimit u theksua rëndësia e një qasjeje të re ndaj bashkisë sipërmarrëse, ku pushteti vendor nuk duhet të mbështetet vetëm te transfertat dhe taksat, por të shfrytëzojë asetet publike dhe partneritetet me sektorin privat për të gjeneruar të ardhura dhe zhvillim ekonomik lokal.

Në përmbyllje, Ministri Demo vuri në dukje se sezoni turistik dhe zhvillimi ekonomik nuk janë çështje që prekin vetëm zonat bregdetare, por çdo bashki nga veriu në jug. Çdo njësi vendore duhet të ketë planin e vet të veprimit për turizmin, mjedisin dhe shërbimet publike, duke e parë territorin me një qasje më kreative, proaktive dhe zhvillimore.

Viti 2026 kërkon bashki më të forta, më të përgatitura dhe më ambicioze, në partneritet të plotë me qeverinë qendrore, për ta kthyer zhvillimin në rezultate konkrete për qytetarët”, u shpreh Ministri Demo.