Ministri Për Pushtetin Vendor

RETREAT I QEVERISË DHE 61 BASHKIVE NË SHKODËR – Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, organizuan takimin mes 61 kryetarët e bashkive dhe kabinetit qeveritar për të diskutuar mbi përmirësimin e shërbimeve të pushtetit vendor për qytetarët. Në takim u dakordësua për rritjen e pagave për administratën lokale brenda vitit 2024 si dhe për rritjen e performancës në mbledhjen e të ardhurave që bashkitë duhet të plotësojnë në mënyrë që të kenë më shumë të ardhura nga granti qeveritar. Në këtë takim gjithashtu u formësuan 9 tryeza me çështje të ndryshme që shqetësojnë bashkitë dhe u ra dakord që periodikisht çdo muaj kryetarët do të kenë mundësi të takojnë anëtarët e qeverisë në platforma digjitale për të diskutuar mbi to.

INVEST IN NORTH – T’i bëjmë qytetet tona tërheqëse është synimi ynë dhe me njerëz profesionistë dhe të përkushtuar, do t’ia dalim. Falenderoj parnerët tanë britanikë dhe ambasadorin Alastair King-Smith si një mik që angazhohet për të ndihmuar komunitetet në Shqipëri nga ana sociale dhe ekonomike si pjesë e programit “Invest in North”, një program që ka të bëjë me punësimin, Arsimin dhë Këshillimin e karrierës në qytetet e Dibrës, Kukësit dhe Tiranës.

TAKIM ME HOMLOGEN FRANCEZE, DOMINIQUE FAURE – Diskutuam hapat e rëndësishëm drejt forcimit dhe përmirësimin e funksionimit të bashkive në Shqipëri. Ndajmë ide për të bashkëpunuar për praktika të mira si roli i shoqërive publike lokale dhe mbështetja ekonomike për zhvillimin e rajoneve. Ky bashkëpunim për forcimin e pushtetit vendor është një hap i domosdoshëm drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, me ministren franceze ramë dakort të organizojmë shkëmbime teknike mes agjencive dhe bashkive, për të ndarë njohuri dhe përvoja praktike.

VIZITË NË SHKOLLËN E AFTËSIVE DIGJITALE ECOLE42 NË FRANCË – shkolla më avant-garde në Europë e aftësive digjitale. Dakordësuam për 42_Tirana që do të hapet tek Piramida brenda fundit të këtij viti. Me mbështetjen e qeverisë shqiptare, Bashkisë Tiranë dhe AADF, 42_Tirana do të jetë shtëpia e 500 të rinjve shqiptarë, plotësisht pa pagesë, si trupëzimi i vizionit #Shqipëria2030 – të parët në rajon për teknologjinë.

TAKIM ME TË RINJTË E GJIMNAZIT ‘SINAN TAFAJ’ NË TIRANË – Me të rinjtë maturantë plot ëndrra të Gjimnazit “Sinan Tafaj” në Tiranë. Bisedë shumë interesante me ta, me pyetjet e duhura dhe mendimet e qarta. Ata janë jo vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja e vendit, që me idetë dhe përgatitjen e tyre do të përshpejtojnë ritmin e zhvillimit në Shqipëri.

TAKIM ME AMBASADORIN E KOSOVËS NË SHQIPËRI – Me mikun tonë në Shqipëri, Ambasadorin e Kosovës, Skënder Durmishi dhe Këshilltarin Burim Susuri në një bisedë shumë interesante për bashkëpunimin në nivel vendor mes dy vendeve. Bashkë do të ndajmë eksperiencat më të mira të njëri-tjetrit, ku një prej tyre është patjetër bashkëpunimi për përfitimin e fondeve për projektet e Bashkimit Europian. Folëm gjithashtu edhe për politikën që do të zbatojmë në Shqipëri në lidhje me financimin e pushtetit vendor mbi bazën e performancës si një shtysë për të performuar më mirë dhe për t’i shërbyer më cilësisht qytetarëve tanë.