Ministri Për Pushtetin Vendor

Në takimin e zhvilluar më 17 janar në Durrës me kryetarët e bashkive të vendit, Kryeministri Edi Rama prezantoi qasjen e re për bashkinë sipërmarrëse, si një drejtim strategjik për rritjen e autonomisë financiare dhe përfshirjen më aktive të pushtetit vendor në zhvillimin ekonomik të territorit. Kryeministri theksoi se modeli aktual i mbështetjes kryesisht te transfertat dhe të ardhurat tradicionale vendore nuk është i mjaftueshëm për të përballuar sfidat e rritura të zhvillimit dhe shërbimeve publike.

Në fjalën e tij, Rama u ndal te nevoja për një ndryshim të qartë të mentalitetit dhe mënyrës së funksionimit të bashkive, duke nënvizuar se zhvillimi ekonomik kërkon që pushteti vendor të mos jetë vetëm administrator i taksave, por aktor aktiv në krijimin e të ardhurave dhe në nxitjen e investimeve në territor.

Nuk mundet dot të rrini dhe të prisni vetëm nga buxheti i shtetit dhe të prisni vetëm nga tarifat dhe nga qiratë. Nuk mundet dot. Duhet të kaloni në një fazë tjetër, sidomos disa bashki që i kanë të gjitha mundësitë, kërkesat, potencialet, por edhe bashkitë më të vogla mund dhe duhet ta bëjnë këtë gjë.

Shteti sipërmarrës dhe bashkia si partner ekonomik

Kryeministri e lidh këtë qasje me filozofinë e “shtetit sipërmarrës”, duke argumentuar se janë krijuar kushtet që institucionet publike të ndërtojnë partneritete reale me sektorin privat dhe të marrin pjesë në zhvillimin ekonomik duke përdorur asetet në funksion të interesit publik dhe rritjes së të ardhurave.

Janë krijuar kushtet që të fillojmë të krijojmë shtetin sipërmarrës. Të jemi sipërmarrës, duke u bërë partner me sektorin privat dhe duke marrë pjesë në fitimin e sipërmarrjes.

Në këtë kuadër, Rama u ndal edhe te roli i bashkive në bashkëpunim me instrumente të reja zhvillimi dhe partneritete me sektorin privat për projekte me përfitim, duke theksuar se territori duhet parë me logjikë zhvillimore dhe jo thjesht administruese.

Në këtë drejtim bashkitë mund të marrin një rol të rëndësishëm, në bashkëpunim me AIC-në (Korporatën Shqiptare të Investimeve) mund të bëjnë projekte dhe mund të bëjnë zhvillime të jashtëzakonshme me përfitim.

Praktikat europiane dhe modeli i bashkisë që gjeneron të ardhura

Kryeministri solli shembuj konkretë nga praktikat europiane, duke theksuar se në shumë vende bashkia është pjesë e drejtpërdrejtë e sipërmarrjes rurale, agro-përpunimit, agroturizmit dhe strukturave të grumbullimi, duke gjeneruar të ardhura dhe duke nxitur zhvillimin lokal.

Mjafton të shkosh në Greqi dhe të shohësh se çdo bashki ka ortakëri me privatët në struktura agroturizmi, në struktura të agro-përpunimit. Është ortake atje bashkia dhe merr të ardhura.

Mjafton të shkosh në Itali dhe të shohësh që çdo bashki është pjesë e aktivitetit të sipërmarrjeve në fshat. Nuk ka në Itali asnjë nga qendrat e mëdha të grumbullimit që nuk është bashkia palë apo që nuk është bashkia komplet pronare.

Një fazë e re për pushtetin vendor

Në përmbyllje të këtij diskutimi, Kryeministri bëri thirrje që bashkitë të kapërcejnë kufirin e një qasjeje thjesht komunale në zonat rurale dhe të përfshihen më fort në zhvillimin ekonomik, rural dhe agro-përpunues, duke shfrytëzuar instrumentet e reja dhe partneritetet e mundshme.

Kjo kërkon që të gjithë bashkitë ta kapërcejnë… atë kufirin e mentalitetit që bashkia funksionon në fshat si ndërmarrje komunale… Nuk ka lidhje me zhvillimin bujqësor, me zhvillimin blegtoral, me zhvillimin rural, me agro përpunimin.

Ky vizion për “bashkinë sipërmarrëse” synon të forcojë qeverisjen vendore, të rrisë të ardhurat dhe të krijojë më shumë mundësi zhvillimi në çdo territor, duke e vendosur pushtetin vendor në një rol më aktiv dhe më ndikues në ekonominë lokale dhe kombëtare.