Ministri Për Pushtetin Vendor

Një kapitull i ri për modernizimin e infrastrukturës digjitale në Shqipëri nisi sot me një takim të zgjeruar mes qeverisë, institucioneve përgjegjëse, bashkive dhe operatorëve të komunikimeve elektronike, ku në fokus ishte sistemimi i rrjeteve ajrore dhe kalimi gradual drejt infrastrukturës nëntokësore.

Takimi u zhvillua me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, Kryetarit të AKEP, Gentian Sala, Drejtores së SASPAC, Eridana Çano, kryetarëve dhe përfaqësuesve të bashkive, OSSH, operatorëve të komunikimeve elektronike dhe institucioneve partnere.

Nisma synon të adresojë një problematikë të dukshme në shumë qytete dhe zona turistike të vendit: kabllot ajrore të vendosura pa standard, shtyllat e improvizuara, rrjetet e mbivendosura dhe strukturat e amortizuara, të cilat dëmtojnë pamjen urbane dhe në disa raste krijojnë edhe shqetësime për sigurinë publike.

Në thelb, ky proces nuk lidhet vetëm me heqjen e kabllove nga hapësira publike. Ai është një ndërhyrje e rëndësishme në administrimin e territorit, në planifikimin urban dhe në mënyrën se si bashkitë do të menaxhojnë infrastrukturën e së ardhmes.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, theksoi se bashkitë kanë një rol vendimtar në këtë proces, pasi janë institucionet që e njohin më mirë territorin, identifikojnë zonat prioritare, koordinojnë aktorët në nivel vendor dhe garantojnë që standardi i ri të ruhet në kohë.

Sipas planit të veprimit, procesi do të nisë me një fazë përgatitore gjatë muajve korrik dhe gusht, ku do të ngrihen grupet e punës dhe do të përgatitet terreni për zbatimin konkret. Më pas, nga shtatori, do të fillojë faza e ndërhyrjeve në terren, duke nisur nga qendrat e qyteteve, zonat turistike dhe hapësirat me rëndësi të veçantë publike.

Kalimi gradual drejt infrastrukturës nëntokësore u vlerësua si një hap i domosdoshëm për qytete më të rregullta, më të sigurta dhe më funksionale. Infrastruktura nëntokësore nuk shihet vetëm si një kosto, por si një aset për bashkitë, për qytetin, për ekonominë lokale dhe për transformimin digjital të vendit.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi nismën si të ardhur në kohën e duhur dhe theksoi nevojën për organizim, koordinim dhe disiplinë të fortë mes institucioneve qendrore, pushtetit vendor dhe operatorëve. Ai nënvizoi se një pjesë e konsiderueshme e kabllove ekzistuese janë jashtë funksioni dhe qëndrojnë ende në hapësirën publike si shenjë e mungesës së ndërhyrjes së koordinuar.

Takimi trajtoi gjithashtu mundësitë që kanë bashkitë për të përgatitur projekte cilësore dhe për të përthithur më mirë fondet e Bashkimit Europian. Përmes prezantimit të SASPAC, bashkitë u njohën me programet e financimit europian dhe me nevojën për të forcuar kapacitetet e tyre në hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve.

Kjo qasje lidhet me një filozofi më të gjerë të zhvillimit vendor, ku infrastruktura, territori, shërbimet dhe financimi duhet të ecin së bashku. Në këtë kuadër, bashkitë nuk shihen thjesht si administratore të territorit, por si aktore kryesore të zhvillimit lokal dhe të procesit të integrimit europian.

Në takim u prek edhe Programi Kombëtar “Rilindja 2.0”, i cili pritet të prezantohet publikisht në fillim të korrikut dhe që synon të ndërtojë një model të ri zhvillimi për bashkitë shqiptare, me fokus cilësinë e hapësirës publike, funksionalitetin e qyteteve, identitetin lokal, infrastrukturën moderne dhe standardet europiane.

Përfituesit kryesorë të këtij procesi janë qytetarët. Me sistemimin e rrjeteve ajrore dhe kalimin drejt infrastrukturës nëntokësore, qytetet do të kenë hapësira publike më dinjitoze, më shumë siguri, shërbime më cilësore dhe një pamje më të rregullt urbane.

Nisma shënon një hap të rëndësishëm drejt një standardi të ri në territor: më shumë koordinim ndërinstitucional, më shumë përgjegjësi vendore dhe qytete më të përgatitura për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.