Ministri Për Pushtetin Vendor

Tiranë, 12 qershor 2026

Në Tiranë u zhvillua konferenca me rastin e 20-vjetorit të Eurorajonit Adriatiko-Jonian, nën temën “Vision for the Future of the Cooperation Area”, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve europiane, drejtues rajonalë dhe vendorë nga vendet e rajonit Adriatiko-Jonian, si dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare.

Në konferencë morën pjesë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, Kryetari i Delegacionit Parlamentar Shqiptar në Parlamentin Europian dhe Kryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, Taulant Balla, Presidenti i Rajonit Dubrovnik-Neretva dhe Nënkryetar i Eurorajonit Adriatiko-Jonian, Blaž Pezo, si dhe Kryetari i Qarkut Tiranë dhe Presidenti aktual i Eurorajonit Adriatiko-Jonian, Aldrin Dalipi.

Gjatë fjalës së tij, ministri Demo theksoi se integrimi europian ndërtohet edhe në nivel lokal, përmes bashkive dhe rajoneve që ofrojnë shërbime më cilësore, nxisin zhvillimin ekonomik dhe forcojnë kohezionin social. Ai nënvizoi angazhimin e Qeverisë Shqiptare për forcimin e qeverisjes vendore, rritjen e kapaciteteve të bashkive dhe përgatitjen e tyre për mundësitë që sjell procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Konferenca shërbeu si një platformë reflektimi mbi dy dekada bashkëpunimi territorial në rajonin Adriatiko-Jonian dhe si një mundësi për të diskutuar sfidat e përbashkëta që lidhen me tranzicionin e gjelbër, transformimin digjital, zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe forcimin e partneriteteve ndërkufitare.

Pjesëmarrësit riafirmuan rëndësinë e Eurorajonit Adriatiko-Jonian si një mekanizëm i rëndësishëm bashkëpunimi ndërmjet rajoneve dhe autoriteteve vendore, duke theksuar se e ardhmja e integrimit europian kërkon një rol gjithnjë e më aktiv të pushtetit vendor në ndërtimin e politikave dhe projekteve që sjellin rezultate konkrete për qytetarët.