Pushteti Vendor

Komiteti Drejtues i TALGA finalizoi procesin e përzgjedhjes së Drejtorit Ekzekutiv, duke shënuar një moment të rëndësishëm në konsolidimin institucional të Akademisë së Trajnimit për Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore. Pas një procesi të strukturuar dhe transparent, u mor vendimi për drejtimin e strukturës që do të udhëheqë zhvillimin dhe funksionimin e mëtejshëm të Akademisë.

Përzgjedhja e Drejtorit Ekzekutiv përmbyll një nga hapat më të rëndësishëm në ngritjen e TALGA-s dhe hap një fazë të re, të fokusuar në funksionalizimin e plotë të saj. Në vijim, prioritet do të jetë hartimi dhe zbatimi i programeve të trajnimit për të zgjedhurit dhe administratën vendore, forcimi i kapaciteteve institucionale, si dhe vendosja e standardeve të qëndrueshme për zhvillimin profesional në nivel lokal.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, duke vlerësuar rëndësinë e këtij momenti, u shpreh se përzgjedhja e Drejtorit Ekzekutiv të TALGA shënon kalimin nga faza e ndërtimit institucional në fazën e funksionimit të plotë të Akademisë. Ai theksoi se TALGA nuk është thjesht një strukturë trajnimi, por një instrument strategjik për rritjen e kapaciteteve të pushtetit vendor, përmirësimin e standardeve të shërbimeve dhe përgatitjen e bashkive për sfidat e zhvillimit dhe integrimit europian.

Fokusi është që kjo Akademi të prodhojë vlerë konkrete për çdo bashki dhe për çdo qytetar.

TALGA synon të shndërrohet në një platformë kombëtare për zhvillimin profesional të pushtetit vendor, duke kontribuuar drejtpërdrejt në rritjen e performancës së bashkive dhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët në të gjithë vendin.