Pushteti Vendor

Në Ndërlysaj, në zonën e Thethit, Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, zhvilluan një bashkëbisedim me banorë, sipërmarrës dhe aplikues të Paketës së Maleve, duke u njohur nga afër me projektet e para që po marrin jetë në territor.

Në Ndërlysaj, në zonën e Thethit, u prezantuan 11 përfituesit e parë të Paketës së Maleve në Bashkinë Shkodër, duke shënuar kalimin e kësaj nisme nga faza e aplikimeve në rastet e para konkrete të zhvillimit dhe investimit në zonat malore.

Në aktivitet morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, drejtuesi politik i qarkut, Enea Karakaçi, si dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e programit.

Gjatë bashkëbisedimit të hapur me banorët, sipërmarrësit dhe aplikuesit, u diskutua mbi mundësitë që Paketa e Maleve krijon për familjet që trashëgojnë ose përdorin prej vitesh prona në territoret malore, por që, për shkak të problematikave të pronësisë, nuk kanë mundur t’i zhvillojnë ato në mënyrë të ligjshme.

Kryeministri Rama theksoi se nisma synon të vërë në lëvizje ekonominë e trashëgimtarëve dhe banorëve të këtyre zonave, duke mundësuar zhvillimin e pronave përmes projekteve të ligjshme dhe në përputhje me natyrën, arkitekturën dhe identitetin e territorit. Ai nënvizoi se investimet duhet të ruajnë vlerën e Thethit si një produkt i përbashkët turistik dhe të shmangin zhvillimin e pakontrolluar.

Një prej rasteve të prezantuara ishte ai i Marjan dhe Lirim Çardakut, të cilët kanë vendosur të kthehen nga emigracioni dhe të investojnë në tokën e trashëguar nga të parët e tyre. Projekti i tyre parashikon zhvillimin e një aktiviteti të lidhur me agroturizmin, akomodimin dhe produktet lokale, duke ruajtur karakterin tradicional të zonës.

Ky investim pritet të krijojë vende të reja pune, të mbështesë ekonominë vendore dhe të kontribuojë në rigjallërimin e Ndërlysajt dhe të zonës së Thethit. Gjatë takimit u dëgjuan edhe histori të tjera të banorëve dhe emigrantëve që synojnë të kthehen dhe të zhvillojnë sipërmarrje familjare në vendlindjen e tyre.

Vetëm në Bashkinë Shkodër janë regjistruar mbi 700 shprehje interesi për Paketën e Maleve, duke dëshmuar interesin e lartë për investime në zonat me potencial turistik dhe ekonomik.

Ministri Demo theksoi rëndësinë e bashkive si pika e parë e kontaktit me qytetarët dhe si partnere aktive gjatë gjithë procesit, nga identifikimi i zonave të zhvillimit dhe pranimi i shprehjeve të interesit, deri te koordinimi me institucionet qendrore.

Paketa e Maleve është një nismë ligjore dhe zhvillimore e Qeverisë Shqiptare, e cila synon të nxisë investimet dhe të rigjallërojë jetën ekonomike në zonat malore.

Rastet e para të prezantuara në Shkodër tregojnë se Paketa e Maleve mund të shndërrohet në një instrument konkret për kthimin e emigrantëve, formalizimin e zhvillimit, krijimin e vendeve të punës dhe ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm ekonomik për zonat e thella të vendit.