Pushteti Vendor

Gjatë seancës plenare të Kuvendit, ministri Ervin Demo theksoi rëndësinë e katër marrëveshjeve strategjike që lidhen drejtpërdrejt me forcimin e pushtetit vendor dhe zhvillimin ekonomik lokal e rajonal.

Këto marrëveshje përfshijnë programin Interreg Europe dhe tre programe IPA ndërkufitare, të cilat u krijojnë bashkive të vendit, pa dallim madhësie, mundësi konkrete për të përfituar fonde të rëndësishme në bazë të projekteve konkurruese.

Mbi 30 milionë euro për zhvillimin lokal

Ministri Demo vuri në dukje se, përmes këtyre instrumenteve financiare të Bashkimit Europian, bashkitë shqiptare do të kenë mundësinë të financohen me mbi 30 milionë euro, fonde që janë thelbësore për nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal dhe për zhvillimin e rajoneve në tërësi.

Në këtë kuadër, përfitues të drejtpërdrejtë do të jenë si bashki të mëdha, si Shkodra dhe Elbasani, ashtu edhe bashki të vogla, si Prrenjasi dhe Puka, duke garantuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar ndaj zhvillimit territorial.

Përgatitja e bashkive për integrimin europian

Në fjalën e tij, Ministri theksoi se rëndësia e këtyre marrëveshjeve shkon përtej aspektit financiar. Ato përbëjnë një hap të rëndësishëm në përgatitjen e bashkive për procesin e integrimit europian, veçanërisht në rritjen e kapaciteteve të tyre për të përfituar nga fondet e Bashkimit Europian në të ardhmen.

Sipas Ministrit Demo, fondet e kohezionit janë shtylla kryesore e financimit për zhvillimin rajonal në vendet e Bashkimit Europian dhe e njëjta qasje do të zbatohet edhe në Shqipëri. Në këtë proces, bashkitë do të kenë një rol kyç dhe duhet të jenë të përgatitura që, që nga dita e parë, të konkurrojnë dhe të përfitojnë nga këto fonde.

Ministri nënvizoi se përvoja e akumuluar nga bashkitë ndër vite, e kombinuar me zbatimin e këtyre marrëveshjeve, përbën një aset të rëndësishëm për ndërtimin e kapaciteteve njerëzore në territor. Ai vlerësoi gjithashtu strategjinë e ndjekur nga qeveria, përfshirë ngritjen e Akademisë së Pushtetit Vendor, si një instrument kyç për rritjen e qëndrueshme të kapaciteteve administrative dhe financiare të bashkive.

Qëllimi, sipas Ministrit, është që bashkitë të mos varen kryesisht nga financimi i buxhetit të qeverisë qendrore, por të hapin dritare të reja financimi dhe të forcojnë autonominë e tyre financiare në mënyrë të qëndrueshme.

Në përfundim, Ministri Demo shprehu bindjen se këto marrëveshje janë në të mirën e drejtpërdrejtë të qindra mijëra qytetarëve që përfitojnë përmes bashkive dhe se ato përfaqësojnë një hap konkret drejt një modeli më të fortë, më të përgatitur dhe më të qëndrueshëm të pushtetit vendor në Shqipëri.