Pushteti Vendor

Në datën 6 mars 2026 u zhvillua mbledhja e parë për këtë vit e Grupit Ndërinstitucional të Punës për Integrimin Europian (GNPIE) për Kapitullin 22: Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore, e drejtuar nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo.

Takimi u zhvillua në një moment të rëndësishëm të procesit të negociatave me Bashkimin Europian, pas zhvillimeve të fundit lidhur me përgatitjen e Planit të Masave për përmbushjen e piketave mbyllëse dhe organizimit të takimit të parë shpjegues me Komisionin Europian në shkurt të këtij viti. Ky takim u përmbyll me dokumentin e Konkluzioneve Operative, i cili përcakton modalitetet e punës dhe llojin e provave që Komisioni Europian kërkon nga institucionet shqiptare për të dëshmuar progresin në përmbushjen e detyrimeve për këtë kapitull.

Në fjalën e tij, ministri Demo theksoi rëndësinë e përshpejtimit të punës për përmbushjen e objektivave të procesit të negociatave, duke nënvizuar se Shqipëria duhet të ndërtojë kapacitetet administrative dhe mekanizmat e kontrollit që garantojnë menaxhimin dhe përdorimin efektiv të fondeve të Bashkimit Europian.

Gjatë mbledhjes u prezantuan gjetjet kryesore të Konkluzioneve Operative nga Sekretariati Teknik, si dhe puna e deritanishme për secilën nga piketat mbyllëse të Kapitullit 22. Diskutimi u fokusua gjithashtu në hapat e ardhshëm që duhet të ndërmarrin institucionet përgjegjëse për të përmbushur kërkesat e Komisionit Europian.

Një nga prioritetet kryesore mbetet përgatitja dhe dorëzimi i draftit final të Planit të Veprimit për Kapitullin 22, i cili do të mbulojë periudhën 2026–2030 dhe do të përfshijë një plan pune me rreth 50 masa konkrete për përmbushjen e piketave mbyllëse, së bashku me afatet dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e tyre.

Në takim morën pjesë përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, përfaqësues të Komisionit Europian, institucione të administratës qendrore, si dhe partnerë ndërkombëtarë dhe projekte të financuara nga BE dhe donatorë të tjerë, përfshirë EU4GoodGovernance, EU4Municipalities, RELOAD (UNDP), Bashki të Forta dhe projektin e Bankës Botërore për bashkitë.

Një element i rëndësishëm i kësaj mbledhjeje ishte edhe përfshirja për herë të parë, në mënyrë online, e Njësive të Integrimit Europian në bashki, duke forcuar kështu rolin e pushtetit vendor në procesin e integrimit dhe në zbatimin e programeve të Bashkimit Europian në nivel lokal.

Procesi i negociatave për Kapitullin 22 kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional dhe koordinim të vazhdueshëm mes institucioneve qendrore dhe vendore, me qëllim forcimin e kapaciteteve për menaxhimin, kontrollin dhe zbatimin e fondeve të BE-së, si dhe për të garantuar që politikat e zhvillimit rajonal të përkthehen në investime dhe përfitime konkrete për qytetarët.