Pushteti Vendor

Në seancën dëgjimore të Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, prezantoi analizën 10-vjeçare të reformës administrativo-territoriale, duke evidentuar rezultatet e arritura dhe sfidat që kërkojnë ndërhyrje në fazën e dytë të saj. Reforma e vitit 2014 reduktoi ndarjen administrative nga 373 njësi në 61 bashki, me synimin për të krijuar një pushtet vendor më efikas, më të qëndrueshëm dhe më pranë qytetarëve. Sipas analizës së paraqitur, reforma ka prodhuar rezultate të matshme në aspektin financiar, ku të ardhurat e veta të bashkive janë rritur me 166%, pesha e tyre në buxhet ka arritur në 51% nga 36% në fillim të reformës, investimet për frymë janë rritur me 78%, ndërsa detyrimet e prapambetura janë ulur nga 12 miliardë në rreth 3.2 miliardë lekë.

Në të njëjtën kohë, u theksua se reforma ka krijuar një bazë funksionale të sistemit vendor, duke konsoliduar hartën territoriale, zgjeruar funksionet e bashkive dhe përmirësuar mekanizmat e mirëqeverisjes dhe menaxhimit mbi bazë performance. Megjithatë, analiza evidenton se pabarazitë mes bashkive mbeten të dukshme, si në aspektin territorial ashtu edhe në atë financiar dhe funksional. Një pjesë e bashkive vijojnë të kenë kapacitete të kufizuara për të gjeneruar të ardhura dhe mbeten të varura nga transfertat qendrore, ndërsa decentralizimi i funksioneve jo gjithmonë është shoqëruar me kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe qartësi të plotë ligjore për zbatimin e tyre.

Sipas të dhënave të prezantuara, madhësia e bashkisë mbetet një faktor kyç në performancë. Bashkitë me mbi 50 mijë banorë rezultojnë mbi mesataren në shumicën e treguesve, ndërsa bashkitë më të vogla mbeten nën mesatare, çka tregon se reforma ka reduktuar fragmentimin formal, por jo plotësisht atë funksional. Në terma ekonomikë, të ardhurat vendore ndaj PBB-së janë rritur nga 0.82% në 1.37%, ndërsa shpenzimet vendore ndaj PBB-së nga 2.4% në 3.2%, duke reflektuar rritjen e rolit të pushtetit vendor në ekonomi.

Në përfundim të prezantimit, u evidentua se dekada e parë e reformës ka ndërtuar bazën e sistemit vendor, ndërsa sfida e dekadës së dytë lidhet me garantimin e cilësisë dhe barazisë së shërbimeve, forcimin e kapaciteteve vendore dhe rritjen e mundësive për zhvillim ekonomik lokal, në mënyrë që qytetarët të mos përballen me standarde të ndryshme shërbimi në varësi të vendit ku jetojnë.