Pushteti Vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, mori pjesë në takimin e Grupit të Punës për “Riinxhinierizimin dhe Digjitalizimin e Shërbimeve të Qeverisjes Vendore”, zhvilluar në kuadër të programit GovTech. Në takim morën pjesë përfaqësues të AKSHI-t, Bankës Botërore, Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, shoqatave të bashkive dhe përfaqësues të bashkive Tiranë, Korçë dhe Përmet, të cilat do të jenë pjesë e fazës fillestare të këtij procesi.

Në fjalën e tij, Ministri Demo theksoi se ky proces përfaqëson një moment të rëndësishëm për transformimin e qeverisjes vendore, pasi digjitalizimi i shërbimeve nuk është thjesht një ndërhyrje teknologjike, por një mundësi për të riorganizuar mënyrën se si bashkitë u shërbejnë qytetarëve. Qëllimi kryesor është ofrimi i shërbimeve më të mira, më të shpejta dhe me kosto më të ulët administrative, si për institucionet, ashtu edhe për qytetarët.

Ministri vlerëson përfshirjen e bashkive Tiranë, Korçë dhe Përmet si një pikënisje të rëndësishme, duke theksuar se ato përfaqësojnë realitete të ndryshme të qeverisjes vendore në Shqipëri, nga pikëpamja e popullsisë, zhvillimit ekonomik dhe shtrirjes gjeografike. Kjo qasje do të ndihmojë në nxjerrjen e mësimeve të vlefshme për zgjerimin e mëtejshëm të procesit në të gjitha bashkitë e vendit.

Një rol të veçantë në këtë proces do të ketë AMVV, e cila do të koordinojë punën me bashkitë, do të kontribuojë në inventarizimin e shërbimeve vendore që do të digjitalizohen dhe do të mbledhë dokumentacionin e nevojshëm për secilin shërbim, në bashkëpunim me AKSHI-n dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Ministri Demo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së Bankës Botërore në këtë proces, duke e cilësuar bashkëpunimin mes Ministrisë, AKSHI-t, AMVV-së, bashkive dhe ekspertëve ndërkombëtarë si një kombinim të domosdoshëm për suksesin e reformës. Ai theksoi se digjitalizimi i shërbimeve vendore vjen në një moment të rëndësishëm, paralelisht me diskutimet për reformën territoriale dhe me nevojën për të ndërtuar bashki më të forta, më efikase dhe më të afta për t’iu përgjigjur pritshmërive të qytetarëve.

Në përmbyllje, Ministri Demo konfirmoi angazhimin e plotë të Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor për të udhëhequr politikisht dhe institucionalisht këtë proces, duke krijuar kushtet e nevojshme që bashkitë të ecin përpara me standarde të qarta, afate konkrete dhe një plan veprimi të mirëstrukturuar për digjitalizimin e shërbimeve të unifikuara vendore. Takimi vijoi me analizën e gjendjes aktuale të shërbimeve vendore, identifikimin e problematikave kryesore dhe përcaktimin e detyrave për hartimin e planit të veprimit.