Pushteti Vendor

Në fakt, janë katër marrëveshje shumë të rëndësishme për sa i përket pushtetit vendor, duke filluar me Interreg-un, por më pas edhe tre marrëveshje IPA, ku kemi bashki që përfshihen dhe do të jenë përfituese të këtyre marrëveshjeve, nga bashki të mëdha, siç mund të jenë Shkodra apo Elbasani, por edhe bashki të vogla, si Prrenjasi apo Puka.

Më vjen shumë mirë që nga këto tre projekte ne do të kemi një kapacitet të ri financiar, ku këto bashki do të kenë mundësi që, në bazë të projekteve konkurruese, të financohen me mbi tridhjetë milionë euro, të cilat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik lokal dhe zhvillimin e rajonit në tërësi.

Por ajo çfarë është edhe më e rëndësishme është përgatitja që bashkitë duhet ta bëjnë dita-ditës për proceset që do të kemi në vazhdim, sidomos kur flasim për procesin e integrimit. Është krejt normale që një nga sfidat kryesore, jo thjesht të negocimit të kapitujve deri në përmbylljen e tyre, por edhe të hyrjes në Bashkimin Europian, do të jetë fleksibiliteti dhe përgatitja që do të kenë bashkitë për të përfituar nga fondet që vijnë nga Bashkimi Europian.

Fondet e kohezionit, në fakt, janë shtylla kryesore e financimit për sa i përket zhvillimit rajonal në një vend të Bashkimit Europian dhe po kështu do të jetë edhe në Shqipëri. Kuptohet që bashkitë duhet të kenë kapacitetet e duhura, që të jenë të gatshme që, që nga dita e parë kur ne do të kemi mundësi të konkurrojmë për financim nga këta kapituj të Bashkimit Europian, bashkitë të kenë një rol shumë të rëndësishëm.

Prandaj unë mendoj që e gjithë eksperienca e akumuluar nga bashkitë gjatë këtyre viteve, duke marrë në konsideratë edhe këto tre marrëveshje, është shumë e rëndësishme për të krijuar një aset të burimeve njerëzore në territor, të gatshme për atë që ne presim nesër.

Po ashtu, më vjen shumë mirë që edhe vetë strategjia që ne tashmë po ndjekim si qeveri, duke filluar me Akademinë e Pushtetit Vendor, do të vijë në ndihmë të bashkive të vendit për të garantuar rritjen e kapaciteteve në mënyrë të qëndrueshme, që bashkitë dita-ditës jo thjesht të fuqizohen nga pikëpamja administrative, por në të njëjtën kohë të hapin dritare të reja për sa i përket financimeve, dhe që financimi nga buxheti i qeverisë qendrore të mos jetë burimi kryesor për qëndrueshmërinë financiare në nivel lokal.

Prandaj unë jam i bindur që këto marrëveshje, dhe po ashtu besoj fort që edhe kolegët e opozitës do t’i mbështesin, sepse në fund të ditës janë në të mirën e qindra mijëra qytetarëve që përfitojnë nëpërmjet bashkive.

Faleminderit!