Pushteti Vendor

Në kuadër të Samitit IV të Diasporës Shqiptare, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, mori pjesë në Panelin 8 me temë “Zhvillimi lokal dhe territorial – a ka rol për diasporën?”, ku përcolli një mesazh të qartë: diaspora shqiptare duhet të shihet jo vetëm si lidhje me vendlindjen apo si burim remitancash, por si një partner real për zhvillimin vendor, përmes investimeve, dijes, përvojës dhe energjisë që ajo sjell për territorin.

Në fjalën e tij, ministri Demo theksoi se Shqipëria sot ndodhet në një stad të ri zhvillimi, ku marrëdhënia me diasporën duhet të marrë një dimension më konkret dhe më funksional. Sipas tij, roli i diasporës nuk mund të kufizohet më vetëm te mbështetja financiare për familjet, por duhet të zgjerohet drejt përfshirjes aktive në zhvillimin ekonomik të bashkive, në nxitjen e sipërmarrjes, në transformimin e territorit dhe në forcimin e kapaciteteve lokale.

Duke iu referuar edhe përvojës së tij si ish-kryetar i Bashkisë Berat, ministri nënvizoi se ka raste konkrete ku qytetarë të diasporës kanë zgjedhur të rikthehen ose të investojnë në vendlindje, duke u kthyer në aktorë realë të ndryshimit ekonomik dhe territorial. Ai theksoi se ky është një tregues i qartë se diaspora nuk është vetëm një potencial i largët, por një forcë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e qyteteve dhe komuniteteve lokale.

Një nga pikat ku ministri Demo u ndal veçanërisht ishte Paketa e Maleve, të cilën e cilësoi si një instrument të rëndësishëm për zhvillimin rural dhe rajonal, si dhe për krijimin e mundësive të reja të investimit në zonat që për një kohë të gjatë nuk kanë pasur të njëjtin ritëm zhvillimi si pjesë të tjera të vendit. Ai theksoi se kjo nismë po ngjall interes të madh edhe te shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe që janë të lidhur fort me vendlindjen e tyre, duke zgjedhur të investojnë jo vetëm në qytete, por edhe në zonat nga të cilat vijnë familjet e tyre.

Sipas ministrit Demo, zhvillimi rajonal është një nga dimensionet më të rëndësishme të forcimit të pushtetit vendor. Ai nënvizoi se bashkitë duhet të jenë në qendër të këtij procesi, jo vetëm si administruese të territorit, por si agjentë të ndryshimit lokal, të afta për të ndërtuar ura bashkëpunimi me diasporën dhe për ta orientuar atë drejt projekteve që krijojnë vlerë të shtuar për komunitetet.

Në këtë drejtim, ministri theksoi se Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor do të punojë ngushtësisht me bashkitë për të krijuar një model më të qëndrueshëm të mënyrës se si diaspora mund të krijojë qasje në territor. Ai vuri në dukje se kryetarët e bashkive kanë një rol të pazëvendësueshëm në identifikimin e potencialeve lokale, në promovimin e mundësive të investimit dhe në krijimin e klimës së besimit dhe të bashkëpunimit që i bën investimet e diasporës më të realizueshme dhe më të suksesshme.

Ministri Demo nënvizoi gjithashtu se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e klimës së investimeve, në lehtësimin e procedurave dhe në krijimin e një kuadri më të qëndrueshëm për sipërmarrjen. Ai solli në vëmendje edhe instrumente të tjera mbështetëse për biznesin, duke argumentuar se Shqipëria sot ofron mundësi reale zhvillimi ekonomik dhe se diaspora duhet ta shohë vendin jo vetëm me syrin e dashurisë për origjinën, por edhe me pragmatizmin e një investitori që gjen kushte konkrete për t’u angazhuar.

Një tjetër mesazh i rëndësishëm i ministrit ishte se diaspora nuk duhet parë vetëm si investitore, por edhe si një burim i vyer profesionalizmi dhe eksperience për shtetin dhe institucionet shqiptare. Sipas tij, kapacitetet administrative dhe profesionale të shtetit mund të përfitojnë ndjeshëm nga angazhimi i shqiptarëve të diasporës në fusha të ndryshme, sidomos në një moment kur Shqipëria është e angazhuar fort në procesin e integrimit evropian dhe ka nevojë për më shumë ekspertizë, më shumë dije dhe më shumë kapacitete cilësore.

Në panel, ku morën pjesë edhe përfaqësues të qeverisjes vendore dhe qendrore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Belgjika dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u sollën përvoja të ndryshme mbi mënyrat se si diaspora mund të lidhet më fort me zhvillimin vendor. Mesazhi që përshkoi gjithë diskutimin ishte se zhvillimi lokal bëhet më i fortë kur ndërtohet së bashku me shqiptarët kudo ku jetojnë.

Përmes një qasjeje që lidh bashkitë, komunitetet lokale dhe shqiptarët jashtë vendit, ky vizion synon ta kthejë diasporën në një aktor të qëndrueshëm të zhvillimit, duke e afruar atë më shumë me investimin, me vendimmarrjen dhe me transformimin e Shqipërisë lokale.

Në thelb, mesazhi i ministrit ishte i qartë: diaspora shqiptare është një forcë zhvillimi, dhe Shqipëria duhet të dijë ta organizojë, ta mirëpresë dhe ta kthejë këtë potencial në projekte konkrete për bashkitë, për ekonomitë lokale dhe për të ardhmen e territorit.