Pushteti Vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka ndarë në rrjetet sociale një përditësim mbi ecurinë e Paketës së Maleve, duke theksuar interesin e lartë të qytetarëve dhe rezultatet e para konkrete të këtij programi.

“Paketa e Maleve po ecën me ritëm të lartë dhe tashmë kemi edhe dallëndyshet e para të suksesit”, shprehet ministri Demo, duke nënvizuar se gjithnjë e më shumë qytetarë dhe bashkëkombas në diasporë po e shohin lidhjen me vendlindjen dhe tokën e të parëve si një mundësi për investim dhe zhvillim ekonomik.

Deri më tani, 52 bashki kanë miratuar mbi 460 zona prioritare, ndërsa në platformën www.paketaemaleve.gov.al janë regjistruar rreth 1,900 aplikime. Sipas ministrit, rreth 200 aplikime janë miratuar tashmë me vendime të këshillave bashkiakë, ndërsa procesi ka prodhuar edhe rastet e para konkrete të suksesit, me dhënien e lejeve të para të zhvillimit për vijimin e investimeve.

Demo thekson se Paketa e Maleve po shndërrohet në një instrument konkret në dispozicion të bashkive për nxitjen e zhvillimit ekonomik rural, duke krijuar mundësi të reja për investim, punësim dhe gjallërimin e ekonomive lokale.

Në videon e publikuar, ministri ndalet edhe te disa prej keqkuptimeve që kanë shoqëruar diskutimin publik rreth programit, duke sqaruar se Paketa e Maleve nuk prek pronën private.

Programi zbatohet mbi pasuri shtetërore dhe çdo aplikim i nënshtrohet një procesi të plotë verifikimi. Procedura përfshin gjithashtu 45 ditë afishim publik, ndërsa çdo pretendim pronësie i dokumentuar duhet të trajtohet përpara se procesi të mund të vijojë.

Sipas ministrit Demo, Paketa e Maleve synon pikërisht adresimin e problematikave të mbartura prej vitesh për qytetarët që duan të investojnë në zonat e tyre të origjinës, duke i kthyer këto raste në mundësi konkrete zhvillimi.

“Qëllimi është i qartë: të zgjidhim problematika të mbartura prej vitesh dhe t’i kthejmë ato në mundësi të reja për investim, punësim dhe zhvillim lokal. Dhe rezultatet e para po tregojnë se kjo po bëhet realitet”, përfundon ministri Demo.