Pushteti Vendor

Qeveria shqiptare ka miratuar një mbështetje të rëndësishme financiare prej 65 milionë eurosh për pushtetin vendor, me fokus fuqizimin e kapaciteteve të bashkive dhe përmirësimin e infrastrukturës bazike në territor.

Në daljen për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, bëri të ditur se nëpërmjet aktit normativ, territori në tërësi merr një mbështetje të theksuar, e cila synon të rrisë aftësinë e pushtetit vendor për të ndërhyrë në mënyrë më të shpejtë, më të koordinuar dhe më efektive në shërbim të qytetarëve.

Nga fondi total, 35 milionë euro do të shkojnë për përmirësimin e infrastrukturës bazike në territor, ndërsa 30 milionë euro të tjera do të fokusohen në dy programe të rëndësishme: krijimin e flotës logjistike në nivel qarku dhe zhvillimin e një qasjeje të re kombëtare për transportin urban.

Ministri Demo theksoi se flota logjistike do të jetë e bazuar në çdo qark dhe do t’u vijë në ndihmë bashkive për mirëmbajtjen e infrastrukturës bujqësore dhe asaj publike. Kjo flotë do të përbëhet nga mjete të përshtatura për tipologjitë e ndryshme të ndërhyrjeve që janë të domosdoshme në territor, duke rritur kapacitetin operacional të bashkive për mirëmbajtje dhe shërbime vendore.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm i programit lidhet me transportin urban. Brenda vitit 2026, bashkitë e para pilot do të përfshihen në një model të ri bashkëpunimi me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, me synimin për të kaluar drejt një transporti publik me standarde më të larta dhe me autobusë elektrikë të kohëve të fundit.

Ky model synon të krijojë një shërbim më modern, më të qëndrueshëm dhe më të aksesueshëm për qytetarët, duke kontribuar njëkohësisht në ruajtjen e mjedisit dhe në uljen e kostove të transportit publik.

Mbështetja prej 65 milionë eurosh për pushtetin vendor përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkive, përmirësimin e shërbimeve në territor dhe ndërtimin e instrumenteve më të qëndrueshme për administrimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës publike.