Pushteti Vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, prezantoi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave programin e ri kombëtar “Rilindja 2.0”, i cili synon të ndërtojë një model të ri zhvillimi për bashkitë shqiptare, duke lidhur identitetin lokal, funksionalitetin urban, cilësinë e shërbimeve publike dhe zhvillimin ekonomik në territor. Programi shtrihet në periudhën 2026–2030 dhe përfshin të 61 bashkitë e vendit, përmes 11 shtyllave programore që orientohen drejt rivitalizimit të territorit, rritjes së cilësisë së jetës dhe përafrimit me standardet europiane.

Në deklaratën për mediat, ministri Demo theksoi se “Rilindja 2.0” do të fokusohet te forcimi i identitetit lokal, përmes ndërtimit dhe zhvillimit të muzeve lokale që pasqyrojnë historinë, kulturën dhe profilin e zonave të ndryshme të Shqipërisë. Ky komponent merr rëndësi të veçantë në kushtet kur turizmi është kthyer në një sektor me ndikim të madh në ekonominë vendore dhe kërkon një ofertë më të pasur kulturore e identitare.

Një tjetër drejtim kryesor i programit lidhet me përmirësimin e funksionalitetit urban dhe aksesit në qytete, përmes zhvillimit të hapësirave të parkimit. Ministri bëri të ditur se deri tani janë evidentuar rreth 160 mijë metra katrorë sipërfaqe në 12 bashki, me potencial deri në 15 mijë vende parkimi. Fokusi do të jetë te bashkitë me intensitet të lartë urban dhe flukse të konsiderueshme turistike, ku menaxhimi i parkimit ndikon drejtpërdrejt në qarkullim, akses dhe cilësinë e jetës urbane.

Demo u ndal edhe te rigjenerimi i ish-hapësirave industriale, të cilat i cilësoi si potenciale ekonomike lokale që duhet t’i rikthehen komunitetit. Sipas tij, ish-fabrikat apo objektet e amortizuara, qofshin në pronësi shtetërore, private apo të përziera, mund të transformohen në hapësira për shërbime komunitare, ambiente sportive, zona rekreative, qendra inovacioni apo hapësira për startup-e, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim ekonomik lokal.

Në kuadër të programit, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe rritjes së standardeve të infrastrukturës publike, sidomos në objektet arsimore. Ministri theksoi se po punohet me një skuadër të gjerë arkitektësh vendas dhe të huaj, të cilët do të mbështesin bashkitë me projekte pro bono, me qëllim që ndërhyrjet në shkolla dhe godina publike të mos kufizohen vetëm te rikonstruksioni fizik, por të sjellin vlerë të shtuar në funksionalitet, siguri, aksesueshmëri dhe pamje urbane.

Një nga objektivat e programit është edhe nxitja e inovacionit dhe startup-eve në nivel lokal. Ministri theksoi se, për shkak të përqendrimit të universiteteve dhe ekosistemit të sipërmarrjes në Tiranë, pjesa më e madhe e startup-eve janë sot të vendosura në kryeqytet. Për këtë arsye, programi synon të krijojë një mjedis më dinamik edhe në bashkitë e tjera, duke u dhënë mundësi sidomos të rinjve të përfshihen në zhvillimin ekonomik lokal përmes ideve inovative dhe bizneseve të reja.

Në fushën e mjedisit, “Rilindja 2.0” synon mbulimin e plotë të territorit me shërbimin e menaxhimit të mbetjeve, rritjen e riciklimit dhe përmbushjen e standardeve që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Ministri nënvizoi se qeveria po punon ngushtësisht me bashkitë për të zgjeruar shërbimin, veçanërisht në zonat ku mbulimi është ende i pjesshëm, si dhe për të avancuar me praktikat e riciklimit dhe ekonomisë qarkulluese.

Një tjetër komponent i rëndësishëm është transporti urban publik, i cili do të mbështetet përmes autobusëve elektrikë, Një numër bashkish do të shërbejnë si modele të kësaj nisme, ndërsa bashkia e parë pilot pritet të përfshihet brenda tremujorit të fundit të këtij viti. Qeveria qendrore do të mbështesë bashkitë për të kapërcyer barrierën fillestare të investimit kapital, në mënyrë që shërbimi i transportit publik të ofrohet me standarde më të mira dhe me ndikim më të ulët në mjedis.

Programi përfshin gjithashtu nxitjen e jetesës së shëndetshme përmes hapësirave të reja sportive, natyrore dhe rekreative. Ministri bëri të ditur se bashkitë kanë evidentuar 140 spote në nivel kombëtar, të cilat mund të shndërrohen në pole të reja aktiviteti për fëmijët, të rinjtë, familjet dhe komunitetet lokale. Këto ndërhyrje pritet të mbështeten jo vetëm nga programet e qeverisë qendrore, por edhe në bashkëpunim me partnerë të tjerë, përfshirë entitete sportive dhe institucione të specializuara.

Një shtyllë tjetër lidhet me përmirësimin e ujësjellës-kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura, si parakusht për shërbime më cilësore, mjedis më të mbrojtur dhe zhvillim të qëndrueshëm, sidomos në zonat urbane, rurale dhe turistike. Paralelisht, programi parashikon edhe forcimin e kapaciteteve logjistike të bashkive për mirëmbajtjen e territorit, përfshirë rrugët rurale, kanalet kulluese dhe ndërhyrjet e shpejta në raste përmbytjesh apo situatash të tjera emergjente.

Në fund, ministri Demo u ndal te zhvillimi i qyteteve inteligjente përmes konceptit “Smart Cities”, i cili synon ndërthurjen e sistemeve të ndryshme që bashkitë kanë në përdorim, për të përmirësuar menaxhimin urban, sigurinë publike, monitorimin e trafikut dhe reagimin ndaj emergjencave. Sipas tij, integrimi i këtyre sistemeve do të krijojë një mjet të rëndësishëm për administrimin më efikas të qyteteve në nivel vendor.

“Rilindja 2.0” prezantohet si një program i integruar për transformimin urban dhe zhvillimin vendor, ku ndërhyrjet në territor nuk trajtohen të shkëputura, por si pjesë e një vizioni më të gjerë për bashki më funksionale, më të pastra, më të aksesueshme, më të sigurta dhe më të afta për të gjeneruar zhvillim ekonomik lokal.