Pushteti Vendor

Në komunikimin për media pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, bëri me dije vijimin e zbatimit të Paketës së Maleve, përmes miratimit të zonave të reja prioritare në bashkitë Pukë, Bulqizë dhe Lezhë. Me këto vendime, numri i bashkive që kanë tashmë të miratuara zonat e zhvillimit i afrohet gjysmës së totalit në vend, ndërsa interesi i qytetarëve vijon të rritet, me afro 500 aplikime të regjistruara në të gjithë territorin.

Ministri theksoi se Paketa e Maleve është një instrument i drejtpërdrejtë për zhvillimin ekonomik lokal, duke nxitur investime dhe aktivizuar potencialet e territorit, veçanërisht në zonat malore. Në të njëjtën kohë, ai sqaroi se kjo nismë nuk prek pronën private dhe nuk i mbivendoset legjislacionit ekzistues për pronësinë, duke garantuar një proces të sigurt dhe të drejtë për të gjithë qytetarët.

Procesi i aplikimit dhe verifikimit zhvillohet në mënyrë transparente, duke përfshirë një afat publik 45-ditor për çdo aplikim, gjatë të cilit çdo pretendim apo kontestim shqyrtohet dhe, nëse është i bazuar, pezullon menjëherë procedurën. Ky mekanizëm synon të garantojë përfshirjen e komunitetit dhe të shmangë konfliktet në territor.

Paketa e Maleve po konsolidohet si një nga instrumentet kryesore të qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit dhe forcimin e ekonomisë lokale, duke krijuar mundësi reale për komunitetet dhe duke rritur rolin e bashkive në këtë proces.