Ministri Për Pushtetin Vendor

Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, prezantuan sot, së bashku me kryetarët e bashkive, piketat kryesore të Programit të ri Kombëtar të Strehimit, një prej komponentëve të rëndësishëm të vizionit “Rilindja 2.0”.

Programi synon të sjellë një qasje të re dhe më gjithëpërfshirëse ndaj politikave të strehimit, duke e zgjeruar fokusin përtej strehimit social dhe duke krijuar instrumente të reja edhe për strehimin e përballueshëm, veçanërisht për çiftet e reja, familjet e reja, profesionistët dhe shtresën e mesme.

Duke prezantuar reformën, Kryeministri Edi Rama theksoi se Programi i ri Kombëtar i Strehimit nuk është thjesht një paketë e re financiare, por pjesë e një reforme strukturore, e cila tashmë ka marrë formën e një drafti ligjor dhe pritet t’i nënshtrohet konsultimit publik përpara shqyrtimit në Kuvend.

Programi do të mbështetet në gjashtë drejtime kryesore: banesat sociale me qira; banesat me kosto të ulët; përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese për grupet vulnerabël; zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës në zonat e strehimit; banesat e përkohshme për familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore; si dhe banesat e përshtatura për personat me aftësi të kufizuara.

Një nga risitë kryesore është kalimi drejt një sistemi kombëtar të integruar, që lidh politikat e strehimit me planifikimin e territorit, zhvillimin urban, tokën publike, transportin, tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik.

Në fjalën e tij, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, theksoi se strehimi është një nga shtyllat që plotëson vizionin e Rilindjes 2.0 për qytete më të jetueshme, më të aksesueshme dhe me ekonomi lokale më të qëndrueshme.

“Me Rilindjen Urbane 2.0 kemi hyrë në një fazë të re të zhvillimit të qyteteve, e cila nuk lidhet vetëm me transformimin e hapësirave publike apo të infrastrukturës, por me cilësinë e jetesës, ekonominë lokale dhe mundësinë që njerëzit të ndërtojnë jetën e tyre në qytetet e Shqipërisë”, u shpreh ministri Demo.

Ai nënvizoi se politika e strehimit duhet parë gjithnjë e më shumë edhe si një instrument për të mbështetur zhvillimin ekonomik lokal dhe për t’u krijuar mundësi çifteve dhe profesionistëve të rinj që të jetojnë e punojnë në territor.

Në këtë kuadër, bashkitë do të kenë një rol thelbësor në identifikimin e nevojave për strehim, familjeve përfituese dhe territoreve ku mund të zhvillohen projektet e reja.

Ministri Demo kërkoi gjithashtu angazhim proaktiv nga bashkitë për zbatimin e projekteve të vitit 2026 dhe përgatitjen që tani të aplikimeve dhe projekteve për vitin 2027.

Në thirrjen e këtij viti aplikuan 33 bashki, prej të cilave 26 u shpallën fituese, ndërsa ndërhyrjet e financuara pritet të përmirësojnë kushtet e banimit për 663 familje në të gjithë vendin.

Sipas ministrit Demo, objektivi tashmë është që financimi të kthehet sa më shpejt në rezultate konkrete në territor, duke garantuar bashkëpunim të ngushtë mes qeverisë qendrore dhe bashkive në të gjitha fazat e zbatimit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, evidentoi se që prej miratimit të paketës ligjore për strehimin në vitin 2018, rreth 30 mijë familje shqiptare janë mbështetur përmes instrumenteve të ndryshme të strehimit.

Megjithatë, ndryshimet ekonomike, demografike dhe urbane të viteve të fundit kërkojnë, sipas saj, një koncept më të gjerë të politikës së strehimit.

Rritja e çmimeve të banesave, ndryshimi i strukturës së familjes, përqendrimi i popullsisë në qendrat më të mëdha urbane dhe nevoja për të mbajtur profesionistët pranë vendeve të punës e bëjnë strehimin e përballueshëm një çështje gjithnjë e më të rëndësishme.

Arkitektura e re institucionale parashikon një rol politikëbërës të ministrisë përgjegjëse, kompetenca të zgjeruara për Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, një rol aktiv të bashkive në identifikimin e nevojave dhe territoreve, si dhe transformimin e Entit Kombëtar të Banesave në një shoqëri publike që do të ndërtojë dhe menaxhojë banesa sociale dhe të përballueshme.

Programi i ri parashikon një zgjerim të ndjeshëm të instrumenteve financiare nga viti 2027.
Sipas piketave të prezantuara, parashikohen 4 mijë mundësi për çiftet e reja përmes kredive të lehtësuara: 2 mijë kredi me interes zero dhe 2 mijë kredi të tjera me normë interesi 3%.

Një tjetër instrument do të jetë subvencionimi me 50% i qirasë për 3 mijë familje, me prioritet çiftet e reja dhe emigrantët që rikthehen në Shqipëri. Për qiratë deri në një tavan prej 400 eurosh, mbështetja e shtetit mund të arrijë deri në 200 euro në muaj.

Vetëm përmes këtyre dy instrumenteve synohen rreth 7 mijë mundësi të reja strehimi gjatë vitit 2027, pa përfshirë programet e tjera ekzistuese të kredive të lehtësuara për kategori të veçanta të administratës publike.

Objektivi i shpallur është që deri në vitin 2030 rreth 50 mijë familje të mbështeten për të siguruar një zgjidhje strehimi.

Një tjetër shtyllë e reformës do të jetë krijimi i Fondit Kombëtar të Strehimit, ku parashikohet të bashkohen burimet nga buxheti i shtetit, kontributi prej 3% që lidhet me zhvillimet e reja të ndërtimit, fondet e Bashkimit Europian dhe burime të tjera financimi.

Qëllimi është që këto fonde të menaxhohen në nivel kombëtar dhe të orientohen sipas nevojave reale të territoreve, duke ruajtur lidhjen mes kontributit të bashkive dhe projekteve që zhvillohen në secilën prej tyre.

Ministri Demo theksoi në këtë drejtim se kontributi prej 3% nuk duhet parë si qëllim në vetvete për bashkitë, por si pjesë e një politike kombëtare për t’iu përgjigjur nevojave të ndryshme për strehim në të gjithë territorin.

Programi i ri parashikon gjithashtu formulën 30–40–30 për zhvillimet e reja: 30% strehim social, 40% strehim i përballueshëm dhe 30% banesa për shitje në treg të lirë, të ardhurat e të cilave do të përdoren për të rigjeneruar fonde dhe për t’i riinvestuar sërish në strehim.

Ky model synon të krijojë zona të reja banimi me standarde cilësore dhe me një përzierje sociale, duke shmangur konceptin e zonave të dedikuara vetëm për kategoritë në nevojë.

Gjatë diskutimit, kryetarët e bashkive mirëpritën qasjen e re, duke evidentuar nevojën për mekanizma më fleksibël, procedura më të thjeshta dhe një koordinim më të fortë institucional.

Në përfundim të takimit u theksua se programi do të vijojë të diskutohet edhe në nivel teknik dhe në Këshillin Konsultativ, ndërsa bashkitë do të përfshihen drejtpërdrejt në procesin e konsultimit, identifikimit të territorit dhe projektimit të ndërhyrjeve.

Për Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, suksesi i reformës do të varet pikërisht nga kjo lidhje mes politikës kombëtare dhe nevojave konkrete të territorit.

Strehimi, në vizionin e Rilindjes 2.0, synon kështu të kalojë nga një politikë e fokusuar kryesisht te mbështetja sociale, në një instrument më të gjerë për zhvillimin ekonomik lokal, mbështetjen e familjeve të reja, ruajtjen e kapitalit njerëzor dhe ndërtimin e qyteteve ku njerëzit kanë mundësi reale të jetojnë, punojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre.