Ministri Për Pushtetin Vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, dhe Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, firmosën udhëzimin e përbashkët “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Artit në Hapësirat Publike”, një akt që vendos rregulla më të qarta dhe standarde profesionale për mënyrën se si veprat e artit bëhen pjesë e hapësirave publike.

Udhëzimi vjen në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 224, datë 1.4.2026, “Për miratimin e rregullores së shfrytëzimit të hapësirës publike”, dhe synon të garantojë që çdo ndërhyrje artistike apo përkujtimore në hapësirat që u përkasin qytetarëve të kalojë përmes një procesi të strukturuar, profesional dhe të koordinuar institucionalisht.

Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, vendosja e monumenteve, memorialëve, busteve, skulpturave monumentale, instalacioneve artistike, muraleve, pllakave përkujtimore dhe formave të tjera të artit publik do t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Komisioni i Artit në Hapësirat Publike.

Çdo propozim do të vlerësohet në disa drejtime kryesore: cilësia artistike e veprës, përshtatshmëria me kontekstin urban dhe arkitektonik, ndikimi në hapësirën publike, respektimi i trashëgimisë kulturore dhe historike, si dhe përputhshmëria me interesin publik dhe identitetin kulturor të komunitetit.

Udhëzimi parashikon gjithashtu procedura të qarta për dokumentacionin që duhet të paraqitet, afatet e shqyrtimit, rishqyrtimin në rast refuzimi, administrimin e vendimeve dhe publikimin e projekteve fituese nga ministria përgjegjëse për kulturën.

Hapësira publike është hapësira e përbashkët e qytetarëve. Ajo ndikon në imazhin e qyteteve, ruan kujtesën kolektive dhe formëson identitetin kulturor të komuniteteve. Për këtë arsye, arti në hapësirat publike duhet të jetë i menduar, cilësor dhe në harmoni me qytetin.

Ky udhëzim shënon një hap të rëndësishëm drejt një praktike më të unifikuar, transparente dhe profesionale për trajtimin e veprave të artit në territor, duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve qendrore, bashkive dhe ekspertëve të fushës.