Ministri Për Pushtetin Vendor

Në kushtet e temperaturave të larta dhe rrezikut të shtuar nga zjarret, strukturat e pushtetit vendor në disa bashki të vendit vijojnë të jenë në gatishmëri dhe të angazhuara në terren, në koordinim me strukturat kombëtare të emergjencave.

Gjatë ditëve të fundit, ekipet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, strukturat e emergjencave civile, punonjësit e bashkive dhe shërbimet e tjera vendore kanë qenë pjesë e operacioneve për përballimin e vatrave të zjarrit, mbrojtjen e zonave të banuara dhe monitorimin e territorit.

Një nga operacionet më të vështira u zhvillua në malin e Krujës, ku krahas forcave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura u angazhuan rreth 100 efektivë të MZSH-së nga disa bashki dhe 21 mjete zjarrfikëse. Përballë terrenit të vështirë dhe erës së fortë, bashkëpunimi mes strukturave vendore dhe atyre qendrore bëri të mundur vënien nën kontroll të situatës dhe mbrojtjen e banorëve.

Angazhim intensiv ka pasur edhe në zonat e prekura nga zjarret në Daias, Priskë, Lundër dhe zona të tjera përreth Tiranës, ku ekipet zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave kanë punuar pa ndërprerje për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka vlerësuar punën e zjarrfikësve, punonjësve të bashkive dhe të gjitha strukturave të angazhuara, duke theksuar se në këtë periudhë kërkohet vigjilencë maksimale dhe përgjegjësi nga të gjithë.

“Në këto ditë me temperatura të larta, kujdesi dhe përgjegjësia e secilit janë thelbësore”, ka theksuar ministri Demo, duke kërkuar njëkohësisht zbatim të plotë të ligjit ndaj çdo rasti të zjarrvënies së qëllimshme.

Në këtë situatë, roli i pushtetit vendor mbetet thelbësor jo vetëm në reagimin ndaj emergjencave, por edhe në parandalim, monitorim dhe ndërhyrjen e parë. Gatishmëria e shërbimeve zjarrfikëse, koordinimi mes bashkive dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me strukturat qendrore janë elementë kyç për të garantuar reagim sa më të shpejtë dhe efektiv në mbrojtje të komuniteteve dhe territorit.

Strukturat vendore vijojnë të ndjekin nga afër situatën, ndërsa apeli për qytetarët mbetet i qartë: maksimum kujdes, shmangie e çdo veprimi që mund të shkaktojë zjarr dhe njoftim i menjëhershëm i autoriteteve për çdo vatër të konstatuar.