Ministri Për Pushtetin Vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, zhvilloi një konferencë për shtyp, ku prezantoi zhvillimet më të fundit në fushën e pushtetit vendor, prioritetet e qeverisë për muajt në vijim, si edhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi aktualitetin politik, protestën qytetare dhe proceset kryesore reformuese në vend.

Në fjalën e tij, ministri theksoi se programet kryesore të Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor po hyjnë në një fazë të re zbatimi, duke veçuar Akademinë e Pushtetit Vendor, grantin e performancës dhe procesin e digjitalizimit të shërbimeve vendore.

Sipas tij, për vitin 2026 granti i performancës do të fokusohet drejtpërdrejt te cilësia e shërbimeve që marrin qytetarët, ndërsa pilotimi i digjitalizimit ka nisur në bashkitë Tiranë, Korçë dhe Përmet, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe AKSHI-n, me synimin për të transformuar mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në nivel vendor.

Një tjetër fokus i konferencës ishte Paketa e Maleve, për të cilën ministri bëri të ditur se procesi po ecën me ritme të shpejta. Mbi 50 bashki kanë miratuar tashmë zonat prioritare, ndërsa janë regjistruar mbi 9 mijë aplikime nga qytetarët. Katër bashki kanë përfunduar tashmë procesin e përzgjedhjes së fituesve dhe gjatë muajit korrik pritet të prezantohen rastet e para konkrete të zbatimit në terren.

Demo u ndal edhe te Akti Normativ i miratuar nga qeveria, duke nënvizuar se ai parashikon 65 milionë euro financim shtesë për pushtetin vendor përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Më shumë se gjysma e kësaj shume do të investohet në infrastrukturën lokale, ndërsa 30 milionë euro do të përdoren për forcimin e kapaciteteve logjistike të bashkive, përfshirë pajisjet për përballimin e emergjencave civile, zjarreve dhe përmbytjeve. Një tjetër program i ri prej 10 milionë eurosh do të mbështesë përmirësimin e transportit urban në bashki, si një nga shërbimet me ndikimin më të drejtpërdrejtë te qytetarët dhe vizitorët.

Në vijim, ministri prezantoi vizionin e Programit Kombëtar Rilindja 2.0, i cili do të prezantohet zyrtarisht gjatë kësaj jave. Ai theksoi se programi nuk kufizohet vetëm te infrastruktura urbane, por synon një transformim të plotë të territorit, duke përfshirë transportin urban, ujësjellësit, kanalizimet, infrastrukturën bujqësore, muzetë lokalë, rigjenerimin e zonave ish-industriale, mbështetjen për sipërmarrjen dhe zhvillimin ekonomik lokal.

“Fokusi është qytetari”, u shpreh Demo, duke theksuar se qeveria do të mbështesë bashkitë për të rritur cilësinë e shërbimeve dhe për të ndërtuar një model të ri zhvillimi për periudhën 2027–2029, të financuar plotësisht dhe të orientuar drejt standardeve evropiane.

Një pjesë e rëndësishme e konferencës iu kushtua procesit të integrimit evropian dhe Kapitullit 22, për të cilin Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor ka përgjegjësi koordinuese. Ministri theksoi se ky kapitull lidhet me përgatitjen e institucioneve dhe bashkive për administrimin e fondeve të kohezionit të Bashkimit Evropian dhe kërkon forcimin e kapaciteteve institucionale në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për sezonin e zjarreve, Demo deklaroi se strukturat vendore dhe qendrore janë më të përgatitura se në vitet e mëparshme, falë rritjes së kapaciteteve logjistike dhe bashkëpunimit me Forcat e Armatosura dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Ai njoftoi gjithashtu se qeveria do të propozojë shpërndarjen e bonusit për zjarrfikësit që në fillim të sezonit, si një masë motivuese për ata që janë në vijën e parë të përballimit të emergjencave.

Sa i përket sektorit të ujit, ministri pranoi se pavarësisht përmirësimeve të arritura në shumë bashki, nevojiten ende investime të mëdha në rrjetet e ujësjellësit dhe kanalizimeve. Ai bëri të ditur se Programi Rilindja 2.0 do të përfshijë një paketë të re investimesh për këta sektorë, me fokus të veçantë zonat turistike dhe ato me presion të lartë demografik. Po ashtu u theksua se janë në zbatim projekte të rëndësishme për trajtimin e ujërave të ndotura në disa bashki, ndër to edhe investimi prej 26 milionë eurosh në Berat.

Në lidhje me Paketën e Maleve, Demo hodhi poshtë pretendimet se nisma favorizon interesa të ngushta ekonomike, duke theksuar se ligji përcakton qartë kategoritë përfituese dhe synon mbështetjen e familjeve, sipërmarrësve lokalë dhe diasporës që investojnë në zhvillimin ekonomik të zonave malore. Ai shtoi se shumë shpejt do të prezantohen publikisht rastet e para të përfituesve, të cilat sipas tij do të dëshmojnë objektivat reale të programit.

Në fund të konferencës, ministri komentoi edhe ecurinë e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale. Ai bëri të ditur se komisioni ndodhet në fazën përmbyllëse të punës dhe se në javët e ardhshme do të qartësohet nëse do të paraqitet një apo dy raporte përfundimtare. Sipas tij, përtej debatit mbi kufijtë administrativë, fokusi kryesor duhet të mbetet forcimi i funksioneve, kompetencave dhe kapaciteteve të bashkive, në mënyrë që ato të përballojnë me sukses sfidat e zhvillimit dhe të integrimit evropian.