Ministri Për Pushtetin Vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, mori pjesë në Simpoziumin e Tretë Kombëtar për Edukimin dhe Kujdesin në Fëmijërinë e Hershme (ECEC), organizuar nga UNICEF, Banka Botërore dhe Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), ku u diskutua mbi forcimin e sistemit të shërbimeve për fëmijët në vitet e para të jetës dhe rolin e pushtetit vendor në këtë proces.

Në aktivitet morën pjesë Edina Kozma, Zëvendëspërfaqësuese e UNICEF në Shqipëri, Martin Foeth, Country Manager për Shqipërinë dhe Kosovën pranë AFD, Evis Sulko, Senior Country Operations Officer në Bankën Botërore, si dhe përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, ekspertë, organizata të shoqërisë civile dhe sektorit privat.

Gjatë sesionit kushtuar rolit të pushtetit vendor, ministri Demo theksoi se edukimi dhe kujdesi në fëmijërinë e hershme duhet të konsiderohen pjesë e pandashme e politikave të zhvillimit ekonomik lokal, duke nënvizuar ndikimin që këto shërbime kanë në përfshirjen e grave në tregun e punës, në mbështetjen e familjeve dhe në zhvillimin afatgjatë të komuniteteve.

Ministri vuri në dukje se reforma administrative dhe territoriale krijon një mundësi të rëndësishme për të adresuar sfidat e evidentuara gjatë viteve të fundit, për të qartësuar përgjegjësitë ndërmjet institucioneve dhe për të forcuar kapacitetet e pushtetit vendor në ofrimin e shërbimeve cilësore për fëmijët dhe familjet.

“Duhet të shfrytëzojmë mësimet e nxjerra gjatë këtyre viteve për të ndërtuar një sistem më të qartë, më funksional dhe më të qëndrueshëm. Qartësimi i kompetencave dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve janë elementë kyç për të garantuar shërbime më të mira për qytetarët”, u shpreh ministri Demo.

Duke folur për realitetin e shërbimeve në territor, ai theksoi se ende ekzistojnë dallime të konsiderueshme ndërmjet bashkive, ndërsa përfshirja e fëmijëve në sistemin parashkollor mbetet një sfidë që kërkon më shumë investime dhe angazhim institucional.

Në këtë kuadër, ministri nënvizoi rëndësinë e forcimit financiar të bashkive, të ngritjes së kapaciteteve vendore dhe të përdorimit të mekanizmave si Granti i Performancës për të nxitur përmirësimin e treguesve në sistemin parashkollor.

Në përfundim, ministri Demo riafirmoi angazhimin e Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor për të mbështetur përfshirjen e rekomandimeve dhe praktikave më të mira në procesin e reformës administrative dhe territoriale, me synimin për të ndërtuar një sistem më gjithëpërfshirës dhe më cilësor për fëmijët në çdo bashki të Shqipërisë.

“Investimi në fëmijërinë e hershme është investim në kapitalin njerëzor, në zhvillimin e komuniteteve dhe në të ardhmen e vendit”, theksoi ministri Demo.