Ministri Për Pushtetin Vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, mori pjesë në aktivitetin përmbyllës të programit EU4Schools, një prej ndërhyrjeve më të rëndësishme të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNDP në Shqipëri, i cili përmes financimit prej 75 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian ka mundësuar rindërtimin dhe rehabilitimin e 63 shkollave dhe kopshteve në 11 bashki të prekura nga tërmeti.

Në aktivitet morën pjesë Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Randi Davis, kryetarë bashkish, partnerë, mësues, prindër dhe nxënës.

Në fjalën e tij, ministri Demo vlerësoi mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe zbatimin profesional të programit nga UNDP, duke theksuar se EU4Schools është një shembull konkret i solidaritetit evropian dhe i bashkëpunimit të suksesshëm mes qeverisjes qendrore, pushtetit vendor, partnerëve ndërkombëtarë dhe komuniteteve lokale.

“Pas tërmetit të 26 nëntorit, bashkitë ishin në vijën e parë të sfidës, pranë qytetarëve, pranë shkollave dhe pranë familjeve, duke identifikuar nevojat dhe duke koordinuar ndërhyrjet në territor”, u shpreh ministri Demo.

Ai nënvizoi se rindërtimi i shkollave dhe kopshteve nuk është vetëm një proces teknik apo infrastrukturore, por edhe një mundësi për të dëgjuar më shumë komunitetet, për t’i përfshirë ato në vendimmarrje dhe për të forcuar ndjenjën e përkatësisë ndaj investimeve publike që u shërbejnë qytetarëve çdo ditë.

Sipas ministrit Demo, programi EU4Schools ka vendosur një standard të rëndësishëm në projektim, cilësi, transparencë dhe përfshirje të komunitetit, duke treguar se investimet publike janë më të qëndrueshme kur ndërtohen mbi bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët.

Një fokus i veçantë i fjalës së ministrit ishte roli i bashkive në administrimin dhe mirëmbajtjen afatgjatë të këtyre aseteve publike.

“Bashkitë nuk janë thjesht përfituese të këtij programi. Ato janë kujdestaret e këtyre aseteve publike. Çdo shkollë e re dhe çdo kopsht i rindërtuar duhet të mbetet funksional, i sigurt dhe në standardet për të cilat është ndërtuar”, theksoi ministri Demo.

Ai shtoi se mirëmbajtja nuk duhet parë si një shpenzim dytësor, por si një investim për të ruajtur vlerën e asaj që është ndërtuar, duke garantuar që këto shkolla dhe kopshte t’u shërbejnë fëmijëve, mësuesve, prindërve dhe komuniteteve për shumë vite me radhë.

Ministri Demo theksoi gjithashtu se EU4Schools është një shembull i qartë i integrimit evropian në praktikë, ku standardet evropiane prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve përmes shkollave më të sigurta, kopshteve më të mira, laboratorëve më modernë dhe shërbimeve publike më cilësore.

Në përfundim, ministri Demo shprehu mirënjohjen për Bashkimin Evropian, UNDP-në, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, bashkitë partnere, mësuesit, prindërit dhe komunitetet lokale, duke nënvizuar se përmbyllja e programit shënon një arritje të rëndësishme, por edhe fillimin e një përgjegjësie të përbashkët për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e këtyre investimeve.

Programi EU4Schools ka mbështetur rindërtimin dhe rehabilitimin e institucioneve arsimore në bashkitë e prekura nga tërmeti, duke krijuar kushte më të sigurta, më moderne dhe më dinjitoze për mijëra nxënës, fëmijë, mësues dhe komunitete në vend.