Ministri Për Pushtetin Vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Berat, Ervin Ceca, dhe Prefekten e Qarkut Berat, Valbona Zylyftari, inspektoi punimet që po zhvillohen në rrugën “Shkëmbi–Kala”, një investim i rëndësishëm për përmirësimin e aksesit drejt Kalasë dhe krijimin e unazës së zonës mesjetare Kala–Goricë–Mangalem.

Rruga, me gjatësi 1.3 kilometra, pritet të shndërrohet në një itinerar të ri tërheqës për vizitorët, turistët dhe të apasionuarit pas ecjeve në natyrë. Projekti parashikon ndërtimin e trotuarit në njërin krah të rrugës, vendosjen e ndriçimit publik, sinjalistikës dhe elementëve të sigurisë, duke krijuar kushte më të mira lëvizjeje për banorët dhe vizitorët.

Aktualisht po vijojnë punimet për ndërtimin e murit mbajtës dhe pritës, ndërsa investimi përfshin gjithashtu ndërhyrje në infrastrukturën rrugore, rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve dhe sistemin e ndriçimit publik.

Gjatë inspektimit, ministri Demo vlerësoi rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin urban dhe turistik të Beratit, duke theksuar se krijimi i një aksesi të ri drejt Kalasë do ta bëjë lëvizjen më të lehtë, më të sigurt dhe më funksionale, si për komunitetin e zonës, ashtu edhe për mijëra vizitorë që zgjedhin Beratin si destinacion.

Investimi në rrugën “Shkëmbi–Kala” përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetesës për banorët dhe pasuron ofertën turistike të qytetit, duke lidhur më mirë trashëgiminë historike me hapësirat publike dhe itineraret natyrore të Beratit.