Ministri Për Pushtetin Vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, mori pjesë sot në takimin e parë të Komitetit Drejtues për EU4Municipalities II, duke shënuar nisjen e një programi strategjik prej 11 milion € për forcimin e pushtetit vendor dhe mbështetjen e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të nivelit të lartë nga partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet vendase, ndër të cilët Ritva Heikkinen, Head of Cooperation, Sonia Kurz, Country Director GIZ, Iven Schad, Head of Development Cooperation, si dhe përfaqësues të programit EU4Municipalities, Christian Mettke dhe Vanessa Bauer. Gjithashtu, pjesë e diskutimeve ishte edhe Eridana Çano, përfaqësuese e SASPAC, së bashku me përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian, qeverisë gjermane dhe institucioneve të tjera qendrore.

Gjatë fjalës së tij, ministri Demo theksoi se ky program vjen në një moment kyç për zhvillimin e pushtetit vendor dhe për procesin e reformës në vijim, duke u kthyer në një instrument konkret që lidh decentralizimin me zhvillimin në territor dhe me integrimin europian.

“Jemi në një moment të rëndësishëm për pushtetin vendor dhe për reformën në tërësi. Ky program sjell një vlerë të shtuar për përpjekjet e përbashkëta të qeverisë dhe bashkive, duke i pajisur ato me mjetet e nevojshme për të ofruar shërbime më cilësore për qytetarët,” u shpreh ministri.

Ai nënvizoi gjithashtu se përfshirja aktive e bashkive në përzgjedhjen e projekteve prioritare dhe në zbatimin e tyre është thelbësore për të siguruar investime të shpejta dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në komunitet, ndërkohë që komponenti i rritjes së kapaciteteve mbetet një element kyç për përgatitjen e tyre për menaxhimin e fondeve të Bashkimit Evropian.

EU4Municipalities II synon të mbështesë bashkitë përmes tre komponentëve kryesorë: financimit të projekteve konkrete, asistencës teknike për forcimin e kapaciteteve vendore dhe modernizimit të qeverisjes përmes përdorimit të teknologjisë dhe të dhënave.

Ky program do të kontribuojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, në zhvillimin e qëndrueshëm lokal dhe në forcimin e rolit të bashkive si aktorë kyç në procesin e integrimit europian.