Ministri Për Pushtetin Vendor

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara, duke vendosur dyfishimin e pagesës mujore për rreth 11 mijë fëmijë, si dhe njohjen për herë të parë të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për rreth 14 mijë kujdestarë dhe ndihmësit e tyre.

Gjatë aktivitetit “PAK Art në Pedonale”, të zhvilluar në Berat në kuadër të Ditës Botërore të Autizmit, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, theksoi rolin kyç të qeverisjes vendore në zbatimin efektiv të këtyre politikave, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional.

“Nevojat në territor duhet të marrin përgjigje konkrete përmes krijimit të sinergjive të duhura, si me politikat e qeverisë qendrore dhe instrumentet financiare që ajo ofron, ashtu edhe me shërbimet që vetë bashkitë vënë në dispozicion. Është inkurajuese që këto politika janë të fokusuara tek qytetarët dhe shtresat më në nevojë. Në të njëjtën kohë, është e domosdoshme që bashkitë të rrisin angazhimin dhe financimet e tyre për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve në nivel lokal,” – u shpreh Ministri Demo.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, bëri të ditur se kjo masë është pjesë e Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2026–2030, i cili synon përmirësimin e ndjeshëm të mbështetjes sociale dhe përfshirjes.

“Sot po lançojmë Planin Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara për vitet 2026–2030. Ky nuk është vetëm një angazhim politik, por një detyrim ndaj qytetarëve dhe një hap i rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Europian. Po finalizojmë paketën mbështetëse për dyfishimin e pagesës financiare për rreth 11 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara, përfshirë fëmijët me spektër autizmi, fëmijët e verbër, tetraparaplegjikë dhe fëmijët me sindromën Down,” – deklaroi ministrja.

Ndërkohë, Zv.Kryeministrja Albana Koçiu theksoi se njohja e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët përbën një risi të rëndësishme në politikat sociale të qeverisë.

“Qeveria Shqiptare, duke njohur si detyrim moral edhe për të lehtësuar përditshmërinë e personave me aftësi të kufizuara, ka marrë iniciativën për të njohur kontributet e sigurimeve për kujdestarët, të cilët shpesh nuk janë vetëm prindër, por edhe persona që kujdesen për fëmijë apo individë me aftësi të kufizuara. Ne kemi një detyrim moral për t’u garantuar atyre një pension dinjitoz, si dhe për t’u ofruar mbështetjen e nevojshme përmes skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore,” – u shpreh ajo.

Këto masa përkthejnë në veprime konkrete angazhimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit europian, duke forcuar mbështetjen për familjet dhe duke përmirësuar cilësinë e jetës për personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre.