Ministri Për Pushtetin Vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, ka sqaruar për publikun në emisionin “Opinion” se çfarë është Paketa e Maleve, kush mund të përfitojë prej saj dhe sa e realizueshme është.

“Paketa e Maleve është një iniciativë e cila, së pari fokusohet në zhvillimin ekonomik në zonat rurale dhe këtu flasim për një potencial të jashtëzakonshëm që ne kemi territor. Dhe ju e dini shumë mirë kur flasim për zonat malore e kodrinore në Shqipëri, që kanë një potencial të jashtëzakonshëm, aq shumë me bumin turistik dhe vetë qytetet që tashmë kanë arritur një nivel të caktuar turistësh në zonat urbane, e kanë të domosdoshme që turistët të kenë mundësi të përhapen sa më shumë në territor.”, tha Demo.

Ai shtoi se kur flasim për turizmin, do të thotë bujtina, hotele, restorante, të cilat janë në zona të caktuara që kanë një lloj atraktiviteti turistik. Përveç turizmit, mbështetje do të ketë edhe për sektorin e bujqësisë, përfshirë ndërtimin e linjave të agropërpunimit dhe strukturave për blegtori.

Ministri theksoi se paketa parashikon edhe incentiva për aplikuesit, ku 500 aplikantët e parë që shpallen fitues do të përfitojnë mbështetje.

Ndërkohë, një pjesë e rëndësishme e nismës është zgjidhja e disa ngërçeve të pronësisë, një nga pengesat kryesore në zhvillimin e këtyre zonave.

“Paketa e Maleve nuk është vetëm për ata që kanë poseduar pronën për mbi 10 vite pa dokumente. Ajo përfshin edhe ish-pronarë të njohur nga komuniteti, të cilët nuk disponojnë tituj pronësie,” u shpreh Demo, duke shtuar se bashkitë kanë rol kyç në verifikimin e këtyre rasteve.

Ai bëri të ditur se 32 bashki në vend kanë përcaktuar tashmë 272 zona prioritare ku mund të zhvillohen projekte në kuadër të kësaj pakete.

Ministri sqaroi gjithashtu se aplikimi bëhet në nivel individual dhe nuk synon grumbullimin e sipërfaqeve të mëdha toke.

“Aplikimi fillon në nivel individual por marrëdhëniet sipërmarrëse mes individëve është e drejta e tyre. Këtu nuk bëhet fjalë që ti merr hektarë pa fund në pronësi përmes paketës së maleve. Ti merr pronësinë vetëm të pronës që ke zhvilluar, nuk merr gjithë kodrën e gjithë malin.”, u shpreh ministri për Pushtetin Vendor.

Ai sqaroi gjithashtu se Paketa e Maleve nuk merr përsipër të zgjidhë të gjitha çështjet e pronësisë.