Ministri Për Pushtetin Vendor

Qeveria miratoi sot rregulloren e re për përdorimin dhe menaxhimin e hapësirave publike, një akt që synon të adresojë një nga problematikat më të ndjeshme për qytetarët dhe komunitetet, duke vendosur rregulla të qarta dhe të unifikuara në nivel kombëtar.

Gjatë komunikimit me mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, theksoi se kjo rregullore ndërhyn drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, duke garantuar përdorim më të drejtë dhe të rregulluar të hapësirave publike, gjithmonë në funksion të interesit të familjeve dhe komunitetit.

“Po adresojmë një nga problemet më akute që hasin qytetarët në komunitete, që lidhet me përdorimin e hapësirave publike. Rregullorja e re sjell një unifikim të praktikave në të gjithë vendin dhe vendos rregulla të qarta për mënyrën se si këto hapësira mund të përdoren,” u shpreh ministri Demo.

Një nga risitë kryesore të këtij akti është vendosja e një kuadri të unifikuar rregullator për të gjitha bashkitë, duke garantuar që standardet bazë të jenë të njëjta në të gjithë territorin. Në të njëjtën kohë, bashkive u lihet hapësirë për të përshtatur dhe plotësuar këto rregulla përmes vendimeve të Këshillave Bashkiakë, në përputhje me specifikat lokale.

Rregullorja është hartuar përmes një procesi të gjerë konsultimi, ku bashkitë kanë qenë pjesë aktive në të gjitha fazat, duke kontribuuar në ndërtimin e një modeli të ri menaxhimi për hapësirat publike.

Ky akt përbën një hap të rëndësishëm drejt një reforme të plotë në mënyrën se si administrohen hapësirat publike, duke kaluar nga praktika të fragmentuara drejt një sistemi të standardizuar, transparent dhe të zbatueshëm në terren.

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli i Ministrave miratoi edhe vendime të reja në kuadër të “Paketës së Maleve”, ku katër bashki të tjera: Sarandë, Kuçovë, Gramsh dhe Tropojë, shpallën zonat e tyre prioritare të zhvillimit, duke zgjeruar më tej hartën e ndërhyrjeve për zhvillimin ekonomik dhe territorial në vend.