Ministri Për Pushtetin Vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, zhvilloi sot një konferencë për shtyp ku prezantoi ecurinë e nismave kryesore, arritjet e deritanishme dhe sfidat që shoqërojnë procesin e transformimit të qeverisjes vendore në kuadër të objektivit strategjik për integrimin europian.

Në fokus të deklaratës ishte avancimi i Akademisë së Pushtetit Vendor, e cila ka hyrë në fazën e ngritjes së kapaciteteve. Procesi për përzgjedhjen e drejtuesit të kësaj strukture, në bashkëpunim me Shoqatën e Bashkive dhe Shoqatën e Qarqeve, pritet të finalizohet brenda muajit mars. Akademia do të luajë një rol kyç në adresimin e sfidave të pushtetit vendor, përmes zhvillimit të kapaciteteve profesionale dhe institucionale të administratës vendore.

Një tjetër prioritet i rëndësishëm mbetet zbatimi i Paketës së Maleve, e cila sipas ministrit po hyn në një fazë vendimtare për sa i përket rezultateve konkrete në terren. Brenda muajit mars priten rastet e para të suksesshme që do të miratohen në nivel vendor nga këshillat bashkiakë. Paralelisht, qeveria vijon procesin e miratimit të zonave prioritare, ku këtë javë pritet të përfshihen rreth 8 bashki të tjera. Ky proces krijon bazën ligjore dhe zhvillimore për tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik lokal, veçanërisht në sektorin e turizmit dhe zonat malore.

Në drejtim të modernizimit të qeverisjes vendore, ministri theksoi vijimin e punës për dy nisma kryesore: ngritjen e sistemit AFMIS dhe digjitalizimin e shërbimeve vendore. Aktualisht janë ngritur grupet e punës për këto reforma, të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, uljen e kostove dhe rritjen e aksesit për qytetarët, duke forcuar ndërveprimin mes bashkive dhe komunitetit.

Një nga risitë më të rëndësishme të prezantuara lidhet me Grantin e Bazuar në Performancë. Për vitin 2026, metodologjia do të ndryshojë thelbësisht, duke kaluar nga një vlerësim i fokusuar tek dokumentet dhe kuadri formal, në një qasje që mat drejtpërdrejt cilësinë e shërbimeve që marrin qytetarët në territor. Kjo reformë po zhvillohet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me mbështetjen zvicerane dhe suedeze, dhe synon të orientojë financimin drejt rezultateve konkrete dhe të matshme.

Në vijim, ministri Demo u ndal edhe tek procesi i integrimit europian, duke theksuar se ky përbën një sfidë transformuese për të gjitha nivelet e qeverisjes. Ai e cilësoi këtë proces si një moment që kërkon një angazhim të jashtëzakonshëm nga institucionet vendore, duke nënvizuar se bashkitë duhet të rrisin kapacitetet dhe të përshtaten me standardet e reja që kërkon anëtarësimi në Bashkimin Europian. Sipas tij, procesi i integrimit nuk është vetëm një objektiv formal, por një transformim i thellë institucional që prek çdo nivel të shoqërisë.

Sa i përket Reformës Territoriale, ministri theksoi se procesi po vijon në kuadër të Komisionit të Posaçëm parlamentar, ku aktualisht po përcaktohet metodologjia e dëgjesave publike dhe konsultimeve në territor. Ai nënvizoi rëndësinë e transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve dhe grupeve të interesit në këtë proces, duke theksuar se reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e bazuar në të dhëna dhe e orientuar drejt përmirësimit të funksioneve të bashkive, më shumë sesa tek ndryshimi i kufijve administrativë.

Ministri vuri në dukje gjithashtu përmirësimin e ndjeshëm të situatës financiare të bashkive, duke theksuar se sot ato janë në një gjendje më të qëndrueshme, pa detyrime të prapambetura problematike, falë mbështetjes së vazhdueshme nga qeveria qendrore.

Në përmbyllje, u theksua se reformat në pushtetin vendor janë të lidhura drejtpërdrejt me objektivin strategjik të integrimit europian dhe kërkojnë një qasje të koordinuar, afatgjatë dhe të bazuar në rezultate konkrete për qytetarët, duke e vendosur qeverisjen vendore në qendër të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.