Ministri Për Pushtetin Vendor

Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, zhvilluan një vizitë dhe inspektim në terren në aksin Librazhd–Prrenjas, një segment i rëndësishëm i infrastrukturës kombëtare që u prek së fundmi nga rrëshqitjet e dherave si pasojë e reshjeve intensive dhe karakteristikave gjeologjike të zonës. Në këtë inspektim morën pjesë gjithashtu Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, drejtuesi politik i qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku, kryetarët e bashkive Librazhd, Prrenjas dhe Elbasan, si dhe drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Shërbimit Gjeologjik dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.

Gjatë vizitës në terren, përfaqësuesit e institucioneve teknike paraqitën analizën e situatës së krijuar në këtë segment rrugor, i cili u dëmtua nga një rrëshqitje e konsiderueshme e masivit të dheut. Autoritetet informuan mbi masat e ndërmarra për stabilizimin e zonës, për menaxhimin e trafikut dhe për vijimin e punimeve për ndërtimin e një segmenti alternativ, me qëllim garantimin e qarkullimit dhe vijimin e projektit të Korridorit VIII.

Në fjalën e tij para qytetarëve dhe përfaqësuesve vendorë, ministri Demo theksoi rëndësinë e rolit të bashkive në përballimin e situatave të tilla, duke vënë në dukje se reagimi i shpejtë dhe koordinimi ndërinstitucional kanë qenë thelbësore për menaxhimin e pasojave të kësaj ngjarjeje.

“Roli i bashkive në këtë kontekst është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për sa i përket mirëmbajtjes së infrastrukturës, por edhe për informimin dhe mbështetjen e qytetarëve, veçanërisht kur përballemi me situata të shkaktuara nga fenomene natyrore,” u shpreh ministri Demo.

Ai vlerësoi angazhimin e kryetarëve të bashkive të zonës dhe të institucioneve qendrore për reagimin e shpejtë dhe koordinimin në përballimin e situatës, duke theksuar se përvoja e kësaj periudhe do të shërbejë edhe për përmirësimin e planifikimit dhe përgatitjes për raste të ngjashme në të ardhmen.

Ministri Demo bëri të ditur gjithashtu se qeveria ka mbështetur një program të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve logjistike të bashkive në nivel kombëtar, përmes një granti të financuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ky program synon të rrisë kapacitetet e pushtetit vendor për përballimin e emergjencave dhe për menaxhimin më efektiv të fenomeneve natyrore.

Vizita në aksin Librazhd–Prrenjas u zhvillua edhe në kuadër të monitorimit të ecurisë së punimeve për Korridorin VIII, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për vendin, i cili pritet të përmirësojë ndjeshëm lidhjen ndërmjet rajoneve dhe të krijojë mundësi të reja zhvillimi ekonomik për bashkitë përgjatë këtij korridori.

Autoritetet konfirmuan se ndërhyrjet për stabilizimin e zonës dhe ndërtimin e segmentit alternativ janë duke vijuar me intensitet, me synimin që situata të normalizohet sa më shpejt dhe që projekti i Korridorit VIII të vijojë sipas planit të parashikuar.