Ministri Për Pushtetin Vendor

Në ambientet e Bankës së Shqipërisë u zhvillua sot eventi “Fondi Social 2026 – Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala, Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, partnerëve ndërkombëtarë dhe kryetarëve të bashkive nga i gjithë vendi.

Gjatë aktivitetit u prezantuan 14 shërbime të reja sociale që do të financohen në vitin 2026 në kuadër të Fondit Social, duke zgjeruar mbulimin dhe cilësinë e shërbimeve për fëmijët dhe nënat në nevojë, personat me aftësi ndryshe, të moshuarit, gratë dhe vajzat viktima të dhunës, si dhe fëmijët pa kujdes prindëror. Dymbëdhjetë nga këto shërbime do të ofrohen në nivel bashkie, ndërsa dy shërbime emergjence dhe linjë këshillimi për fëmijë do të ngrihen në nivel qarku.

Në fjalën e tij, Ministri Ervin Demo, theksoi se Fondi Social është një instrument kyç për forcimin e pushtetit vendor dhe garantimin e qëndrueshmërisë së shërbimeve në territor.

“Bashkia është pika ku shteti takohet çdo ditë me qytetarin. Sfida jonë sot nuk është më thjesht hapja e shërbimeve, por garantimi i qëndrueshmërisë së tyre”, u shpreh ministri Demo, duke nënvizuar se shërbimet sociale duhet të kthehen në pjesë të politikave të përhershme lokale, me planifikim dhe buxhetim afatgjatë.

Ai theksoi se, për vite me radhë, bashkitë kanë arritur të ndërtojnë kapacitete përmes mbështetjes së donatorëve, por mungesa e qëndrueshmërisë financiare dhe institucionale ka qenë një sfidë e vazhdueshme. Fondi Social, sipas tij, krijon pikërisht kushtet që këto kapacitete të mos mbeten projekte të përkohshme, por të konsolidohen dhe të rriten nga viti në vit.

Buxheti i Fondit Social për vitin 2026 është rritur krahasuar me vitin paraardhës, duke reflektuar angazhimin për të forcuar më tej rrjetin e shërbimeve sociale në nivel vendor dhe për të garantuar standarde më të larta cilësie dhe aksesueshmërie.

Sot, rreth 65 mijë individë mbështeten nga një sistem i organizuar institucionesh dhe pikash shërbimi në nivel qendror dhe vendor, një model që po konsolidohet përmes përfshirjes aktive të bashkive dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor do të vijojë të mbështesë bashkitë në forcimin e kapaciteteve të tyre institucionale dhe financiare, duke e konsideruar shërbimin social një prioritet të politikave vendore dhe një komponent thelbësor të një pushteti vendor funksional dhe të qëndrueshëm.